Ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, nxori urdhrin nr.1258, datë 9.8.1988 për ekzekutimin e vendimit me varje në litar të poetit Havzi Nela, që duhet të kryhej të mërkurën e më 10 gushtit, ora 3.30.
Për zbatimin e urdhrit u ngarkua Dega e Punëve të Brendshme Kukës.
Havzi Nela u ekzekutua në litar mëngjesin e datës 10.8.1988 në sheshin e agjencisë së udhëtarëve në Kukës.
Në procesverbalin e ekzekutimit thuhet:
“I mbajtur sot më datën 10 gusht mbi ekzekutimin e vendimit të dënimit me vdekje, varje në litar të të dënuarit Havzi Nela. Pasi ju komunikua vendimi nga prokurori i rrethit se do të ekzekutohet vendimi, ju kërkua të thoshte fjalën e fundit.
I dënuari në fjalët e tij të fundit tha:
“I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mia i mora me vete. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër këmbë. Kam 910 lekë dhe kërkoj që këto t’i jepen të afërmve të mi (nënës)”.
Pastaj u bë ekzekutimi. Disa minuta pas ekzekutimit u kontrollua nga mjeku i cili deklaroi se i dënuari ka vdekur. Ekzekutimi u bë në orën 3.30 të datës së mësipërme te sheshi i agjencisë së udhëtarëve në Kukës”.
Nënshkrimi u bë nga prokurori Nikollaq Helmi, shefi i policisë Maksim Feka dhe mjeku.
Për ta varrosur, xhelatët zgjodhën një metodë origjinale, por tërësisht mizore.
Duke përfituar nga fakti që uji liqeni i Kukësit gjatë muajit gusht ishte më i pakët dhe tërhiqej në brendësi, xhelatët zgjodhën pikërisht hapësirën që në dimër do të ishte e përmbytur.
Ata gjetën zbrazësinë e një shtylle dhe e futën aty Havziun e vdekur, duke përllogaritur që koka të rrinte në sipërfaqe.
Duke bërë një varrim jo shumë të thellë, ata kishin llogaritur që gjatë dimrit ujërat e Drinit jo vetëm do ta zbulonin, por do ta lëkundnin e më pas do ta shkulnin kafkën e Havziut nga vendi i varrimit për ta çuar në drejtim të rrjedhës së Drinit te hidrocentralet e mund më tutje në det.
Skema e këtij rasti, e ideuar nga Dega e Punëve të Brendshme Kukës e drejtuar nga Federik Ymeri, ishte vërtet horror.
Kur u gjetën e eshtrat e Havzi Nelës në vitin 1993, si pasojë e kallëzimit të një polici pjesëmarrës në të, u konstatua se skeletit i mungonte kafka.
𝐍𝐠𝐚 𝐊𝐚𝐬𝐭𝐫𝐢𝐨𝐭 𝐃𝐞𝐫𝐯𝐢𝐬𝐡𝐢
#𝐎𝐛𝐬𝐞𝐫𝐯𝐞𝐫𝐊𝐮𝐥𝐭
