
Autori u kamuflua me kominoshe, kamerat e sigurisë dhe përgjimet çuan në arrestimin e grupit të dyshuar
Një shumë prej vetëm 1 mijë eurosh dyshohet se është paguar për vendosjen e lëndës plasëse që i mori jetën 67-vjeçarit Hysni Ymeri në Shkodër. Detaje të reja nga hetimet zbulojnë skemën e përdorur nga autorët për realizimin e atentatit me tritol, ndërsa katër persona të arrestuar pritet të dalin të hënën para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas burimeve hetimore, një nga të arrestuarit, Gerti Bushati, dyshohet se ka marrë 1 mijë euro për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte viktima, më datë 27 dhjetor, dy ditë para shpërthimit të telekomanduar. Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e tij, ndërsa ende nuk dihet nëse i ishin premtuar pagesa të tjera.
Hetimet kanë zbuluar se Bushati u kamuflua duke veshur kominoshe mbi rrobat e zakonshme. Pasi vendosi tritolin, ai u largua nga zona dhe hoqi veshjen maskuese, të cilën e hodhi pranë lumit. E gjithë lëvizja e tij është fiksuar nga kamerat e sigurisë së një biznesi aty pranë, pamje që kanë rezultuar vendimtare për identifikimin e tij. Rrobat e përdorura janë sekuestruar nga policia.
Nga verifikimet ka rezultuar se ditën e ngjarjes, në lagjen Manush Alimani ndodheshin edhe dy të arrestuar të tjerë, Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Grupi hetimor dyshon se shpërthimi është aktivizuar në distancë nga Ergys Ibrahimi, në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej drejt banesës së tij.
Fillimisht, ngjarja u raportua si aksidentale, me dyshime për defekt në rrjetin elektrik, por kjo pistë u rrëzua më pas nga OSHEE. Pas shpërthimit, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u vendosën nën përgjim ambiental. Pa qenë në dijeni të këtij fakti, ata kanë komunikuar mes tyre, duke dhënë elementë të rëndësishëm për hetimin.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit nuk kanë pasur konflikte të drejtpërdrejta me viktimën. Ende mbetet e paqartë se kush është porositësi i vërtetë i vrasjes dhe cili ka qenë motivi që çoi në eliminimin e 67-vjeçarit.
Katër të dyshuarit do të përballen në gjykatë me akuza të rënda, përfshirë vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim, shkatërrim prone me eksploziv, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe prishje të qetësisë publike. Hetimet vijojnë për të zbardhur tërësisht zinxhirin e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Shkodrën.
