
Presidenti amerikan synon të imponojë në Forumin Ekonomik Botëror një ceremoni për krijimin e Bordit të Paqes, me kosto të lartë financiare dhe pa qartësi mbi qëllimet reale
Një ide e re e presidentit amerikan Donald Tramp ka shkaktuar konfuzion dhe shqetësim të madh në prapaskenat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Tramp po kërkon të organizojë një ceremoni zyrtare për nënshkrimin e asaj që ai e quan Bordi i Paqes për Gazën, një strukturë e re që do të prezantohet si mekanizëm për rindërtimin e pasluftës.
Por ajo që ka alarmuar diplomatët dhe organizatorët është kostoja e lartë financiare e përfshirjes. Vendet që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij bordi pritet të kontribuojnë me rreth 1 miliard dollarë secila, pa pasur ende një plan të qartë se si do të përdoren këto fonde dhe kush do t’i menaxhojë ato.
Sipas burimeve të Bloomberg, ftesat për këtë iniciativë janë shpërndarë vetëm pak ditë më parë, duke i lënë përfaqësuesit shtetërorë në një situatë presioni dhe pasigurie. Edhe pse Bordi i Paqes është përmendur më herët si një nismë e mbështetur në parim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dokumentet themeluese nuk përmendin drejtpërdrejt Gazën, çka ka shtuar dyshimet mbi qëllimin real të projektit.
Lista e të ftuarve përfshin emra që kanë shkaktuar reagime të forta, mes tyre presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri bjellorus Aleksandër Lukashenko, figura të përjashtuara prej kohësh nga forumet perëndimore. Ndërsa Moska dhe Minsku kanë shfaqur gatishmëri, shumë qeveri europiane janë shprehur të tronditura nga mënyra e paraqitjes së projektit dhe mungesa e transparencës.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga fakti se vetë Donald Tramp synon të kryesojë këtë bord, duke përqendruar vendimmarrjen në duart e tij. Kjo ka ngritur shqetësime serioze në Evropë, sidomos në një moment kur presidenti amerikan ka kërcënuar hapur me tarifa dhe ka deklaruar publikisht se nuk ndihet më i detyruar të veprojë vetëm në funksion të paqes pas mosmarrjes së Çmimit Nobel.
Në Davos, ku mijëra delegatë janë mbledhur për të diskutuar stabilitetin global dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, iniciativa e Tramp po shihet si një lëvizje e rrezikshme që mund të shndërrojë një forum ekonomik në një arenë për presion politik dhe përplasje diplomatike.
