Deputetja e Partisë Socialiste në Qarkun Shkodër, Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si “Neomalësorja”, sot feston ditëlindjen e saj të 25-të.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Neomalsorja, duke rrëfyer ndryshimet që ka pësuar jeta e saj pas zgjedhjes deputete.
Por, pavarësisht se e cilëson si një sipërmarrje të mundimshme dhe shumë më të vështirë se puna në bujtinën e familjes së saj, Koçeku thekson se mbetet e palëkundur në qëllimin për të lënë gjurmë të pashlyeshme gjatë angazhimit politik, me punë në të mirë të komunitetit që përfaqëson dhe të vendit në tërësi.
“Sot mbushi 25 vjeç, dhe një gja asht e sigurt: nji vit ma përpara isha ma e lumtun te bujtina e familjes sime, se sa sot në Parlament.
Atje nuk përballesha me fyemje e shpifje, por me komplimente prej familjeve që na vizitonin ku e kaloja ditën në mes të natyrës së bekume shqiptare, e jo në mes të trafikut urban e kakofonisë së shpeshtë. Por kjo s’do me thanë se jam e pendueme. Përkundrazi, ndjehem e frytshme në nji terren ma t’gjanë.
Jam ende në fillimet e mia. E kam marrë këtë iniciativë me bindje të plotë: me lanë gjurmë, me u përpjekë me ndryshu gjanat në Shkodër e në tanë Shqipninë. Si vajzë e re, që ka ba do gjana n’jetë, kam shumë vullnet e vendosmêni, e askush s’mundet me ma ndalë dëshirën, vizionin dhe forcën e shpirtit tem për me e çue përpara këtë punë.
Dikush mund të më pyesë: “Pse pra, meqë ishe e lumtun e aq mirë, u fute në politikë?”
Përgjigjja asht e thjeshtë: sepse si e re aktiviste, për vite të tana me miq e shokë jemi ankue për gjanat që duhen përmirësu, e sot mu dha mundësia konkrete me i prek e me i ndryshu. Sepse gjanat nuk ndryshojnë tuj u ankue, por tuj kërku zgjidhje praktike për me përmirësu jetën e qytetarëve.
Uroj fort mos me u pendu kurrë dhe me ardhë dita që me thanë me zemër plot se jam e lumtun që zgjodha këtë rrugë e po ashtu me marrë shum t’rinj e t’reja të talentuem të ktij vendi me vete”,- shkruan Koçeku.
