
46 vite më parë, Gonxhe Bojaxhiu u nderua me Nobel për Paqen në Oslo, si simbol i shpresës dhe humanizmit botëror.
Më 10 dhjetor 1979, në Oslo të Norvegjisë, Nënë Tereza; Gonxhe Bojaxhiu me origjinë shqiptare, mori Çmimin Nobel për Paqen, duke u bërë shqiptarja e parë dhe e vetmja deri më sot që mban titullin më të lartë humanitar në botë. Komiteti Nobel vlerësoi veprimtarinë e saj të jashtëzakonshme në shërbim të të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë, duke e cilësuar një model të vetëmohimit e mëshirës që solli shpresë për ata që jetonin në mjerim e braktisje.
Në ceremoninë e nderimit, e pyetur se nga vinte, ajo u përgjigj me fjalët që sot mbeten emocionuese për çdo shqiptar: Jam lindur në Shkup… Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri.
Edhe pse kaloi thuajse gjithë jetën në shërbim të njerëzimit larg vendlindjes, Shën Tereza nuk e mohoi kurrë rrënjën e saj. Në atë kohë ajo kujdesej për mijëra jetimë, të sëmurë dhe njerëz të pastrehë, me qendra humanitare në dhjetëra vende të botës. Misionarët e Bamirësisë, urdhër që ajo themeloi, vazhdojnë edhe sot punën e saj në mbi 130 shtete.
Çdo 10 dhjetor, Shqipëria dhe mbarë bota kujton nderimin e Gonxhe Bojaxhiut, simbol i paqes, mëshirës dhe forcës së dashurisë ndaj njerëzimit.
