

Në një libër që pritet të dalë së shpejti, ish-kandidatja demokrate Kamala Harris rikthehet te prapaskenat e fushatës së saj të shkurtër presidenciale. Ajo kritikon hapur qëndrimin e Joe Bidenit, i dobësuar politikisht por që nuk pritej të hiqte dorë.
Libri titullohet “107 Ditë”, në referencë te 107 ditët që zgjati fushata e shpejtuar e Kamala Harris dhe paralajmërohet si një “bombë” në pellgun politik të demokratëve. Në këtë vepër, që botohet javën e ardhshme, Harris rrëfen angazhimin e saj të detyruar në vijën e fundit të zgjedhjeve të humbura kundër Donald Trumpit dhe bën një portret kritik të javëve të pasigurta pas tërheqjes së Joe Bidenit.
Që në faqet e para, Harris përshkruan një fushatë jashtë normales, të bërë me ngut e nën presion, pasi Joe Bideni ishte rrëzuar në një debat me Trumpin. Megjithë thirrjet për t’u tërhequr, sipas saj, presidenti në detyrë nuk pranoi realisht t’ia linte vendin asaj.
Ajo tregon një bisedë telefonike të pazakontë, pak orë para debatit të saj me Trumpin. Bideni e thirri për t’i uruar fat, por biseda mori një kthesë çorientuese: sipas Harris, presidenti i tha se disa figura me ndikim në Filadelfia nuk do ta mbështesnin sepse ajo paskësh folur keq për të.
“Pastaj Joe nisi një monolog për paraqitjet e veta në debatet e mëparshme: ‘E munda herën tjetër; në debatin e fundit thjesht nuk ndihesha mirë’. Këmbëngulte se kjo nuk i kishte kushtuar te elektorati. Unë mezi e dëgjoja,” -shkruan ajo. Harris thotë se u ndje e zemëruar dhe e zhgënjyer nga telefonata, që i erdhi në momentin më të keq, teksa përballej me një Trump në hov.
Ish-zëvendëspresidentja shkon më tej se ky episod. Në “107 Ditë”, ajo kritikon edhe mungesën e forcës së Bidenit në disa dosje kyçe, si aborti. Ajo rikujton anulimin në vitin 2022 të vendimit Roe v. Wade nga Gjykata e Lartë, që rrëzoi të drejtën federale për ndërprerjen e shtatzënisë. “Joe pati vështirësi të fliste për të drejtat riprodhuese në mënyrë që t’i përgjigjej peshës së momentit,” -shkruan Harris.
Ajo rrëfen edhe një 4 korrik të tensionuar: “Dukej aq i brishtë,” thotë për presidentin, të cilin e kishte përqafuar, ndërsa Jill Biden, Zonja e Parë, i ishte dukur në teh nervash. Më pak se një muaj më vonë, partia e shpalli zyrtarisht Kamala Harris kandidate, pavarësisht hezitimeve ngulmuese të Bidenit për të lënë garën.
Duke u kthyer pa filtra te javët kaotike të tranzicionit, “107 Ditë” ofron një pamje të paprecedentë të përçarjeve të brendshme të Partisë Demokrate. Harris vizaton një vijë të qartë mes presidentit të cilit i shërbeu dhe kandidatit të dobësuar që, sipas saj, u bë një ekuilibër i brishtë, teksa demokratët, ende të tronditur nga humbja, e kanë të vështirë të paraqiten të bashkuar.
Botimi shoqërohet nga një tur letrar i gjerë: rreth njëzet ditë në SHBA për të promovuar këtë rrëfim të sinqertë dhe personal, siç e përshkruan vetë Harris. Aty ajo jep versionin e saj të historisë, por edhe një thirrje për të parë drejt në sy mosfunksionimet e partisë.