
SPAK dyshon për shkelje të procedurave të prokurimit dhe favorizim kompanish në AKSHI
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndërmarrë masa sigurie në kuadër të një hetimi të gjerë që lidhet me procedurat e tenderimit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Me vendim të Gjykatës së Posaçme, është caktuar masa e sigurisë arrest shtëpie për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Hetimi përfshin 12 procedura tenderuese, të cilat dyshohet se janë zhvilluar në shkelje të ligjit të prokurimit publik. Sipas hetimeve paraprake, këto procedura lidhen me kontrata me vlera të konsiderueshme financiare, kryesisht për mirëmbajtjen e serverëve dhe sistemeve informatike të institucioneve shtetërore me rëndësi strategjike.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se kriteret e tenderave dyshohet se janë hartuar në mënyrë të paracaktuar, duke favorizuar subjekte të caktuara private në garë. Përmes këtyre procedurave, kompanitë përfituese dyshohet se kanë siguruar kontrata me vlera miliona euro.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK ka caktuar gjithashtu masa sigurie edhe për persona të tjerë, mes tyre biznesmenë të përfshirë në procedurat e prokurimit. Hetuesit kanë marrë në pyetje dhjetëra zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të komisioneve të vlerësimit të ofertave dhe të shqyrtimit të ankesave.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar të abuzimeve me fondet publike, ndërsa pritet që në vijim Prokuroria e Posaçme të japë detaje të tjera lidhur me këtë çështje me interes të lartë publik.
