
Pas grabitjes spektakolare të së dielës në Muzeun e Luvrit, kurora historike e Perandoreshës Eugenie u gjet jashtë ndërtesës, e dëmtuar por e paprekur në thelb
Një ndër veprat më të rralla të artit perandorak francez, kurora e Perandoreshës Eugenie, është rikthyer në duart e autoriteteve franceze, pasi u grabit gjatë një sulmi të armatosur në Muzeun e Luvrit në Paris, mëngjesin e së dielës.
Kurora, e përbërë nga 1354 diamante, 1136 gurë rozë dhe 56 smeralde, është një kryevepër e artizanatit francez të shekullit XIX. Ajo është punuar në ar të gdhendur dhe përbëhet nga tetë harkime në formën e shqiponjave dhe palmetave, simbole të fuqisë dhe lavdisë perandorake.
Pas grabitjes që detyroi mbylljen e menjëhershme të Luvrit për arsye të jashtëzakonshme, stolia u gjet e dëmtuar në afërsi të muzeut, e braktisur nga autorët gjatë arratisjes. Sipas burimeve të policisë, dëmtimet janë kryesisht sipërfaqësore, por disa prej gurëve të çmuar janë ende të zhdukur.
Kurora e Eugenie ka një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe simbolike: është një nga dy kurorat e vetme të mbetura nga monarkia franceze, përkrah asaj të mbretit Louis XV. Përmes saj, historia perandorake e Francës ruan një kujtim të artit, pushtetit dhe shkëlqimit të epokës së Napoleonit III.
Hetimet për grabitjen po vazhdojnë, ndërsa Ministria e Kulturës franceze e ka cilësuar ngjarjen një sulm të drejtpërdrejtë ndaj trashëgimisë kombëtare.