
Gjykata e Vicenzës rrëzon kërkesën për gjykim të shkurtuar, akuzë për vonesë të qëllimshme të trajtimit mjekësor
Një rast që ka tronditur opinionin publik në Itali po hyn në një fazë vendimtare gjyqësore. Gjykata e Assise në Vicenza ka rrëzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të prindërve të 14 vjeçarit Francesco Gianello, i cili humbi jetën pasi u trajtua me metoda alternative për një tumor agresiv në femur.
Prindërit e të miturit, Martina Binotto dhe Luigi Gianello, akuzohen nga prokuroria për vrasje me dashje eventuale, me pretendimin se kanë vonuar diagnozën dhe terapitë e nevojshme mjekësore, duke zgjedhur trajtimin sipas të ashtuquajturës doktrina Hamer. Sipas akuzës, kjo zgjedhje ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të djalit dhe në humbjen e jetës së tij.
Rasti doli në dritë vetëm pas vdekjes së adoleshentit në spitalin San Bortolo të Vicenzës, në fillim të vitit 2024. Më herët kishte pasur sinjalizime edhe nga shërbimet sociale, por gjendja e tij shëndetësore ishte tashmë kritike. Prokuroria e të Miturve në Venecia kishte hapur gjithashtu një procedim për pezullimin e përgjegjësisë prindërore.
Sipas dosjes hetimore, Francesco vuante nga një osteosarkomë në femur. Fillimisht ai kishte ndjekur trajtime të rekomanduara nga mjekët, por më pas prindërit u drejtuan te një mjek në Padova që aplikonte metoda të lidhura me doktrinën Hamer, duke përfshirë përdorimin e argjilës dhe refuzimin e terapive standarde onkologjike. Djali u vizitua në disa spitale, përfshirë atë të Perugias, përpara se të transferohej në Vicenza, ku ndërroi jetë.
Gjykata ka vendosur të përfshijë në proces të gjitha aktet hetimore dhe dokumentacionin e mbledhur nga prokuroritë përkatëse, ndërsa do të dëgjohen ekspertë teknikë të akuzës dhe mbrojtjes, si edhe nëna e viktimës. Nuk do të thirren dëshmitarë të tjerë.
Organizata italiane për kërkimin mbi kancerin AIRC ka sqaruar se metoda Hamer bazohet në teori të pavërtetuara shkencërisht dhe mohon bazat e mjekësisë moderne, duke i ekspozuar pacientët ndaj rrezikut serioz për shkak të vonesave në trajtim. Sipas AIRC, këto metoda kanë sjellë në disa raste kalimin e tumoreve të trajtueshme në forma të pashërueshme.
Procesi gjyqësor pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme, ndërsa rasti i Francesco Gianellos ka rihapur debatin në Itali mbi përgjegjësinë prindërore dhe rreziqet e trajtimeve alternative jashtë çdo standardi mjekësor.
