
Kryebashkiaku Klitschko thotë se mbi 1.600 ndërtesa mbeten pa shërbim, ndërsa infrastruktura energjetike vazhdon të jetë objektiv kryesor i bombardimeve
Rreth 15% e ndërtesave të banimit në Kiev vazhdojnë të jenë pa ngrohje, pas sulmeve të njëpasnjëshme ruse ndaj infrastrukturës kritike, ka deklaruar më 25 janar kryebashkiaku i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko.
Sipas tij, bëhet fjalë për 1.676 ndërtesa banimi, në një qytet me mbi 3 milionë banorë, ku rikthimi i energjisë elektrike, ngrohjes dhe furnizimit me ujë po ecën me vështirësi pas sulmeve të datave 9, 20 dhe 24 janar. Disa zona kanë mbetur pa ngrohje që prej fillimit të muajit.
Pas sulmit të fundit më 24 janar, rreth 6.000 nga 12.000 pallate të qytetit mbetën pa ngrohje, ndërkohë që një ditë më parë ky numër kishte rënë nën 2.000 falë punës së ekipeve energjetike. Autoritetet bëjnë me dije se mbi 4.000 ndërtesa janë rikthyer në sistem, ndërsa 1.600 prej tyre vetëm gjatë natës së 24 janarit.
Situata më problematike paraqitet në pjesën lindore të Kievit, në anën përtej lumit Dnipro, por sipas operatorit shtetëror të rrjetit energjetik Ukrenergo, problemet po shtrihen gradualisht edhe në pjesën perëndimore të qytetit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se objektivat kryesore të Rusisë janë sektori energjetik, infrastruktura kritike dhe ndërtesat e banimit. Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë kësaj jave janë lëshuar mbi 1.700 dronë, më shumë se 1.380 bomba ajrore të drejtuara dhe 69 raketa të llojeve të ndryshme.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, sulmet e fundit kanë lënë të paktën 40 të plagosur dhe kanë dëmtuar dhjetëra ndërtesa banimi dhe automjete civile në disa qytete të vendit.
Bombardimet e përsëritura kanë shkaktuar mungesë të ngrohjes, energjisë elektrike dhe ujit në temperatura shumë të ulëta, duke e përkeqësuar krizën humanitare në mes të dimrit.
