

Më shumë se 300 ankesa janë depozituar kundër dy grave nga Bouches-du-Rhône, pranë Marsejës, të akuzuara se kanë shitur udhëtime me çmime të ulëta që klientët jo vetëm nuk i kanë përfituar kurrë, por as nuk janë rimbursuar.
Sipas hetimeve, kompania e tyre “Nounou & Family Privilèges” (NPFP) prezantohej si një lloj komiteti ndërmarrjeje për dado dhe asistente familjare, duke ofruar paketa turistike tërheqëse, si udhëtime në Disneyland Paris, ose pushime ekzotike në Zanzibar, me çmime dukshëm më të ulëta se ato të tregut.
Në gusht 2023, Vinciane, një asistente nga rajoni i Lionit, gjeti në rrjetet sociale një ofertë: një javë për katër persona në Zanzibar për 5 000 euro. Çmimi dukej i ngjashëm me ofertat e komitetit të ndërmarrjes së bashkëshortit të saj. I vetmi kusht ishte pagesa e një tarife anëtarësimi dhe rezervimi i hershëm.
Pas kontaktit me njërën nga themelueset, Élodie, Vinciane u bind nga mënyra e saj e komunikimit dhe vendosi të paguante një kapar prej 35% për udhëtimin e planifikuar për Krishtlindjet e vitit 2024. Por as ajo dhe dhjetëra të tjerë nuk morën udhëtimin e premtuar dhe pagesat nuk iu kthyen.
Sipas mediave franceze, dëmi i shkaktuar nga kjo skemë mashtruese arrin në rreth 1,5 milionë euro, ndërsa organet hetimore po ndjekin penalisht dy organizatoret.