
Sherri që nisi nga një debat në rrjetet sociale përfundoi me një të mitur në gjendje kritike, i plagosur me katër goditje thike dhe me humbje të madhe gjaku.
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që tronditi Durrësin, ku një 15-vjeçar ndodhet në luftë për jetën pas një përleshjeje të dhunshme mes bashkëmoshatarëve. I mituri është goditur me thikë pranë zemrës dhe ka pësuar humbje të konsiderueshme gjaku, ndërsa mjekët po përpiqen ta stabilizojnë.
Konflikti ka nisur pas një debati banal në rrjetet sociale dhe ka vazhduar me një përballje të organizuar pas mësimit. Adoleshentët ishin nxënës të gjimnazit Nikollë Kaçorri, ndërsa drejtoresha e institucionit ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur jashtë shkollës.
Sipas burimeve në terren, palët kanë mbërritur në vendtakim të shoqëruara nga disa shokë. Debati është përshkallëzuar shpejt në dhunë, ku janë përdorur thika, shkopinj bejsbolli dhe mjete të forta. I plagosuri ka marrë katër goditje me thikë, njëra prej të cilave shumë pranë zemrës. Ai është dërguar në spital nga shokët e tij dhe ka marrë gjak nga familjarët për të përballuar humbjen e madhe.
Familjet e adoleshentëve jetojnë pranë njëra-tjetrës dhe konfliktit i është vënë filli nga fjalët me të cilat ata janë përplasur në rrjetet sociale, duke çuar në një ngjarje që rrezikoi jetën e një të mituri.
Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe ndalimin e autorit të dyshuar dhe personave të tjerë të përfshirë në përleshje.
