
I mituri nga Durrësi ndërroi jetë pas goditjes me thikë në gjoks gjatë një konflikti të nisur nga komentet në rrjete sociale
Ka ndërruar jetë në Reanimacionin Qendror të Spitalit “Nënë Tereza” E.B, 15 vjeç, i cili u plagos me thikë shtatë ditë më parë pas një konflikti të nisur nga një debat në TikTok. Adoleshenti, i sjellë nga Durrësi për mjekim urgjent, kishte plagë të rëndë në pjesën e gjoksit pranë zemrës, e cila rezultoi fatale pavarësisht trajtimit mjekësor.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, vetëm pak minuta larg shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësojnë edhe dy të rinjtë e përfshirë në sherr. Sipas njoftimit të siguruar nga Gazeta Shqip, mjekët konfirmuan se plagët nga arma e ftohtë ishin të rënda dhe pas shtatë ditësh luftë për jetën, 15-vjeçari nuk mundi të mbijetojë. Autoritetet kanë njoftuar morgun dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Mësohet se konflikti ka nisur nga një koment në rrjetet sociale, i cili më pas është zhvendosur në ambientet e shkollës dhe përfundoi me takim “sqarues” jashtë saj, ku tensionet degjeneruan në përplasje fizike. Rasti rikthen shqetësimin për dhunën mes të miturve dhe ndikimin e rrjeteve sociale në nxitjen e konflikteve mes adoleshentëve.
