
Alarmi i autoriteteve në Kaliforninë Jugore pas niveleve rekord të ndotjes PM2.5, ndalohet djegia e druve dhe u kërkohet qytetarëve të qëndrojnë të mbyllur brenda
Mbi 18 milionë qytetarë në Kaliforninë Jugore janë urdhëruar të qëndrojnë në ambiente të mbyllura pasi cilësia e ajrit ka rënë në nivele të rrezikshme. Shkaku është rritja e konsiderueshme e grimcave mikroskopike PM2.5, të cilat njihen si të dëmshme për sistemin kardiovaskular dhe atë respirator, duke rritur rrezikun për astmë, bronkit, sulm në zemër dhe kancer.
Alarmi, i lëshuar nga Shërbimi Kombëtar i Motit, do të jetë në fuqi deri në mesnatë dhe prek një zonë të gjerë urbane duke përfshirë Los Angeles, Orange County, Inland Empire, San Bernardino dhe Riverside.
Autoritetet kanë vendosur ndalim të plotë të djegies së drurit në shtëpi dhe ambiente të jashtme, ndërsa qytetarëve u kërkohet të mbajnë mbyllur dyert e dritaret, të përdorin pastrues ajri dhe të shmangin qëndrimin jashtë.
Ekspertët paralajmërojnë se situata është përshkallëzuar nga një kombinim faktorësh: ndotja industriale, trafiku i rënduar, djegia e druve gjatë festave dhe kushtet e motit që bllokojnë ndotjen pranë tokës, duke krijuar një “kupolë smogu” të rrezikshme.
Ekspozimi afatshkurtër mund të shkaktojë kokëdhimbje, kollë, lodhje dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërsa ekspozimi i zgjatur lidhet me sëmundje të rënda të mushkërive dhe zemrës.
Raportohet se situata mund të zgjasë edhe ditët në vijim, duke hapur mundësi për alarme të reja.
