

Gjykata e Old Bailey dënon me burgim të përjetshëm pesë autorët e masakrës në Archway, duke i lënë pas hekurave për dekada të tëra.
Pesë persona u dënuan me burgim të përjetshëm në Britani, pasi Gjykata e Lartë e Old Bailey shpalli vendimin për vrasjen e dyfishtë që tronditi Londrën më 29 qershor 2023. Viktimat ishin shqiptari Klevi Shekaj, 23 vjeç, dhe Leonardo Reid, 15 vjeç, të cilët humbën jetën pas një sulmi brutal me thika në Archway, gjatë xhirimeve të një videoklipi muzikor.
Të akuzuarit: Lorik Lupqi (21 vjeç), Abel Chunda (29), Jason Furtado (28), Eden Clark (29) dhe Xavier Poponne (21), u shpallën fajtorë për vrasje të dyfishtë dhe tentativë vrasjeje. Sipas vendimit të gjykatës, ata do të duhet të vuajnë një total prej 189 vitesh burg, me periudha minimale të gjata përpara çdo mundësie lirimi me kusht: Lupqi 39 vite, Clark dhe Chunda nga 38 vite secili, ndërsa Furtado dhe Poponne nga 37 vite.
Hetimet treguan se ngjarja u organizua pas një mesazhi të Lorik Lupqit, i cili paralajmëroi të tjerët për praninë e rivalëve. Brenda pak orësh, grupi kishte shkëmbyer mbi 50 telefonata dhe u drejtua në vendngjarje, ku gabimisht sulmuan dy të rinjtë që nuk kishin lidhje me bandat. Leonardo Reid vdiq menjëherë, ndërsa Klevi Shekaj ndërroi jetë në spital nga plagët e shumta. Një tjetër i ri u plagos rëndë, por arriti të mbijetojë.
Gjatë procesit gjyqësor, rezultoi se Poponne jo vetëm që kishte drogë dhe armë të ftohta në posedim, por edhe se në telefonin e tij ishin gjetur tekste këngësh drill ku përshkruhej ngjarja, ndërsa ai kishte ndërruar emrin në rrjetet sociale në “X3”, një referencë për numrin e viktimave të sulmit. Lupqi, që u arratis në Kosovë pas ngjarjes, u ekstradua në Britani në nëntor 2024.
Në sallën e gjyqit, nënat e viktimave rrëfyen dhimbjen e tyre të pamasë, ndërsa policia britanike deklaroi se dënimet e rënda garantojnë që autorët e krimit makabër të kalojnë pjesën më të madhe të jetës pas hekurave.