
Ndërhyrja nisi pas një telefonate për shantazh ndaj një të mituri, i dyshuari dyshohet se përplasi me automjet një karabinier dhe u qëllua gjatë arratisjes, jashtë rrezikut për jetën.
Një i ri shqiptar 20 vjeç është plagosur nga të shtënat me armë zjarri të karabinierëve italianë, pasi tentoi të largohej me makinë gjatë një kontrolli policor në provincën e Pizës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e vonë të së shtunës, ndërsa mediat italiane raportojnë se ndërhyrja e forcave të rendit u nxit nga një telefonatë urgjente e një gruaje.
Sipas denoncimit, djali i saj i mitur po i nënshtrohej shantazhit, pasi i ishte marrë telefoni celular dhe autorët i kishin kërkuar një shumë prej një mijë eurosh për t’ia kthyer. Me mbërritjen e patrullës në zonë, një nga të dyshuarit dyshohet se ka përplasur me makinë një karabinier dhe më pas është larguar me shpejtësi të lartë.
Ka nisur një ndjekje që ka zgjatur disa kilometra, nga Bientina deri në Montopoli. Gjatë arratisjes, karabinierët kanë qëlluar pesë herë me armë zjarri, ku dy plumba kanë goditur 20-vjeçarin. I riu është asistuar nga shërbimet mjekësore dhe është transportuar në spital.
Sipas autoriteteve, gjendja e tij shëndetësore nuk paraqitet e rëndë, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe rolin e personave të përfshirë në rastin e dyshuar të shantazhit.
