Fati i shoqërisë së shkatërruar nga heshtja: Kur shpresa zhduket, vendi fundoset

Nga Prof. Mimoza Manxhari
Gjithmonë kam zgjedhur te flasë me zemer, por veçantërisht tani flet zemra e një njeriu që ka parë rrënimin e këtij vendi përmes një plage të heshtur që po na konsumon çdo ditë: shkatërrimit të arsimit.
Ky nuk është një gabim, as thjesht një pasojë e rastësishme. Është qëllim i mirëllogaritur për të kontrolluar mendjen dhe shpirtin e shoqërisë.
« Sepse një mendje e ndriçuar nuk nënshtrohet.
« Një qytetar i ditur nuk blihet.
« Një student i lirë nuk hesht.
E kur arsimi përdoret për t’i mbajtur njerëzit të kontrolluar dhe nën diktat, pasojat që prodhon janë vetëm shkatërruese. Shkollat dhe universitetet nuk janë më hapësira për mendim të lirë, për pyetje të vështira, për kërkime të thella. Ato janë kthyer në fabrika që prodhojnë ndërgjegje të pasivizuara, të gatshme për të pranuar çdo version të “të vërtetës” që u serviret, pa pasur mundësinë t’ju ofrohet dhe as të kërkojnë ndryshime.
Më bindni se jam gabim, ndërsa ju ofroj këto fakte:
(I)_ Dhjetori i vitit 2018 ishte një provë historike. Por nga një shpresë e madhe kolektive, ai u shndërrua në një dështim po aq kolektiv—dhe ajo peshë ende rëndon mbi ne.
Kjo, sepse arsimi ynë nuk kish përgatitur viganë, por trupa të bindur. Jo mendje të lira. Kish kultivuar recitimin, jo qëndresën. Bindjen, jo vetëdijen.
Kur erdhi çasti për të qëndruar, mungoi guximi. Kjo, jo sepse të rinjtë nuk kishin zemër, por sepse askush nuk ua kishte ndezur atë.
Në shkolla ku pyetja ndëshkohet dhe bindja shpërblehet, guximi nuk lind, vetëm bindja zvarritet.
Studentët tanë heshtën, u tërhoqën, u përkulën, sepse ishin prodhimi i një sistemi që i mëson të mos trazojnë ujërat. Dhe kështu, u mbyt shpresa.
Kjo heshtje sot është pasqyra më e saktë e një arsimi që edukon dorëzimin para se të lindë përpjekja.
Ai Dhjetor është njolla më e rëndë që sistemi arsimor mban mbi shpinë Një kujtesë e gjallë se sa herë që heshtim përballë padrejtësisë, bëhemi vetë pjesë e saj.
(II) _ Profesorë dhe sindikalistë, ata pak që guxuan të dalin publikisht për cilësinë dhe dinjitetin e arsimit, nuk u përballën vetëm me sistemin. U përballën edhe me heshtjen e shoqërisë.
Në vend që të mbështeteshin nga një popull që dikur e kishte shkollën të shenjtë, ata u lanë vetëm, u përçmuan, u etikëtuan, madje u sakrifikuan në heshtje.
Shoqëria që nuk mbron ata që luftojnë për të, është një shoqëri që pranon robërinë. Dhe kur arsimtari nënshtrohet, mendja e një kombi shuhet.
Jetojmë në në një Kohë kur e Vërteta Nuk Shkruhet më Për t’u Njohur. Tani Luftohet për të Mos e Thënë!
Dritëro Agolli e quante dijen si një lumë që nuk ndalet kurrë. Po, këtë lumë të shenjët e kanë ndalur dhe çdo ditë që kalon shohim më shumë diga që e pengojnë:
-Universitetet u zhveshën nga autonomia dhe dinjiteti.
-Dija u këmbye me procedura boshe.
-E vërteta u varros nën nota fiktive dhe tituj të shpërndarë si privilegje.
Kur dija nënshtrohet, liria vdes. Dhe sot shohim:
-Në vend të mendimtarit – burokratin.
-Në vend të dijetarit – recituesin.
-Në vend të kërkuesit – përsëritësin.
Sokrati do të digjej për herë të dytë në këtë sistem që ndëshkon pyetjen dhe shpërblen bindjen, sepse, siç thoshte ai vetë: “E vetmja dije e vërtetë është të dish se nuk di asgjë.”
Kjo nuk është krizë e arsimit. Kjo është krizë e shqërisë. Sepse kur mendja nuk mëson të jetë e lirë, trupi mësohet të përkulet.
Pushteti i korruptuar i druhet vetëm një gjëje: – Njeriut që Di.
Shkrimi dhe libri janë më shumë se faqe dhe fjalë.
Ata janë liria që po u mohohet atyre që duhet të ndërtojnë të ardhmen e shoqërisë.
Lexoni, mendoni, veproni.
Dhe- Mos Harroni:
– Zgjedhjet, janë momenti ynë i vetëm, ku realisht mund të kontriboujmë për të ardhmen tonë dhe të krijojmë një komb që nuk është i verbër ndaj padrejtësisë.
Çfarë dëshmish të tjera kërkojmë për të kuptuar se arsimi nuk është kosto, por shpëtim?!
Dhe, kur shpresa zhduket, vendi fundoset.