Emërimet në Kushtetuese: KED pezullon vakancën për vendin e Elsa Toskës
Në kulmin e përplasjeve për emërimet me Gjykatën Kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), ka pezulluar vakancën për zëvendësimin e magjistrates së dorëhequr Elsa Toska.

Elsa Toska, e dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese
KED zhvilloi sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi ecurinë deritanishme të procedurës së verifikimit të kushteve ligjore për kandidatët e paraqitur për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë më datë 30 shtator 2024.
Gjatë mbledhjes u vu re se nuk plotësohej kriteri i 3 kandidaturave dhe në fund u vendos të pezullohej vakanca, duke iu drejtuar Kuvendit me kërkesën që ta rishpallë edhe një herë thirrjen për vakancën e Kushtetueses.
“Gjatë fazës së verifikimeve, u konstatua se numri i kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore ka rënë nën pragun minimal të parashikuar prej tre kandidaturash. Në respekt të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, si dhe në zbatim të vendimit nr. 84/2024 të Gjykatës Kushtetuese që thekson rëndësinë e përtëritjes së rregullt të kësaj gjykate, një herë në tre vjet, Këshilli vendosi si më poshtë: Pezullimin e procedurës së verifikimit të kandidaturave për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur më 30.09.2024”, thuhet në vendimin e marrë nga Këshilli me 8 anëtarë dhe i drejtuar nga Sokol Sadushi, kreu i Gjykatës së Lartë.
Gjihashtu është caktuar edhe njoftimi i Kuvendit të Shqipërisë, si organi që ka vënë në lëvizje procedurën, për të vlerësuar rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave.
“Ky vendim bazohet në nenin 125 të Kushtetutës, nenin 7/c të ligjit nr. 8577/2000, nenin 218 të ligjit nr. 115/2016, si dhe në aktet nënligjore përkatëse që rregullojnë këtë proces. Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, në seksionin e dedikuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, theksohet në njoftimin e KED.
Në shtator të vitit të kaluar, dorëheqja e beftë e anëtares Elsa Toska, u pasua nga vendimi i kryetares së Parlamentit, Elisa Spiropali, për shpalljen e vakancës për një mandat që përfundonte, jo në vitin 2025, për në vitin 2028. Ky akt do të shënonte krisjen e parë në skemën e ripërtëritjes së gjykatës me tre anëtarë për gjatë këtij viti.