Aktualitet opinion Shqipëria

“Më mirë një fik, se sa një mik!”

Në kohë të tilla ku njerëzia në Shqipëri është e fokusuar në rezultatin e zgjedhjeve dhe jo të zgjidhjeve, si për ironi të fatit shohim se çmimet e frutave të stinës u rritën me dhjetëfishin dhe askush nuk e ngriti zërin e të protestonte. Çmimi i qershive dhe i fiqve tani së fundi, janë treguesit kryesorë që këtë vit këto fruta nuk i blejnë dot më shumë se 1/10 e familjeve shqiptare.

Tmerr dhe lavdi bashkë! Nga njëra anë ngrihen çmimet e frutave të cilat Shqipëria i ka pasë me çmime shumë të lira këto produkte të vendit dhe, nga ana tjetër, mburremi me numrin e turistave që mbërrijnë në Shqipëri. Problemi qëndron në monitorimin e prodhimit shqiptar dhe në përpunimin e strategjive nga ana e qeverisë për të mbrojtur prodhimin vendas dhe rritur punësimin.  Jepen fonde në mënyrë diskreminuese nëpërmjet sistemit patronazhist e monopolist dhe ja ku jemi! Ky turizmi masiv, a quajeni si të doni edhe elitar, nuk mundet kurrsesi të mbahet pa prodhimin vendas. Mishin e kemi zgjidhur duke e importuar nga jashtë, patatet nga jashtë, peshkun nga jashtë, sallatën nga jashtë, vajin nga jashtë… Tani, edhe qershitë e fiqtë nga jashtë, do t’i paguajmë sikur të ishin fruta egzotike? Mungon fuqia punëtore se bota e lirë këtë treg pune e ka të hapur dhe, kërkesë – ofertë, është i gjithë ky emigrim – do përgjigjej qeveria dhe elektorati rozë! Po nuk është kështu fare e vërteta… Dhe kot që bëhen zgjedhje parlamentare në Shqipëri dhe fitojnë partitë sipas programeve që joshin më shumë elektoratin drejt mirëqenies? Më mirë krijojmë një “Agjensi punësimi për shqiptarët që të ikin jashtë Shqipërisë” dhe një “Agjensi internimi për të huajt që vijnë nga burgjet e perëndimit” dhe ja ku u zgjidh puna. Askush të mos mbjellë e të korrë në këtë vend dhe kjo përralla me “shtojzavalle” e resorteve turistike të jetë vetëm për të huajt dhe shqiptarët të blejnë frutat e importit sa “frëngu pulën” me çmime stratosferike. Lefqenia e partive politike është një gjë, por edhe heshtja e shoqërisë civile është një gjë edhe më e dhimbshme. Po si nuk u ngrit njeri, e të bëheshin qoftë edhe dy vetë, e të protestonin përpara Parlamentit për ngritjen e çmimeve?! Por u është bërë koka dhallë shqiptarëve me konfliktin në Lindjen e Mesme, a thua se do kenë në dorë sekretin e botës për zgjidhjen e çështjes? Dilni, “o skllevër e bij skllevërish” – kur thoshte Noli i madh, kundërshtoni çdo padrejtësi! …Kemi rënë kaq poshtë, sa na ka vënë shkelmin në fyt politika dhe nuk bëzajmë. Edhe sikur të dalësh në protestë, ta monopolizojnë ustallarët e manipulimit të protestave, do thotë dikush! E drejtë dhe e vërtetë aq e madhe është kjo, sa është e vërtetuar katërcipërisht me fenomenin e partive të vogla apo me shkollën e liderëve të rinj të cilët duhet të kalojnë në kudhrën e Pavël Kolçaginit (personazh i librit “Si u kalit Çeliku”). Nuk ka asnjë zë ndryshe dhe fatkeqësisht po mësohemi me këtë ngurtësim të fjalës së lirë. Punonjësitë e bujqësisë i zë puna në ara, se nxitojnë që të mbjellin e të korrin atë pak prodhim. Prodhimi i vogël me toka të pakta të punuara, është një prodhim mesjetar individual dhe sjell edhe mendësi individuale, që në fakt çon ujë tek përçarja e shqiptarëve, sepse ul ndjenjën e kolektivitetit, protestës kolektive dhe shteti i nxit ata drejt emigrimit duke i zbehur perspektivën e punës në fshat. Grosistët e produkteve të agrokulturës abuzojnë me çmimet e mallrave nën emrin e tregut të lirë dhe u drejtohen tregjeve të huaja. Kështu nuk i jepet prioritet prodhimit vendas. Qorrsokaku ynë politik është mjeran dhe, siç po duket, do të jetë edhe më katastrofik. I pamë partitë se sa të interesuara ishin për mirëqenien e popullit, prodhimin vendas dhe rritjen e punësimit të shqiptarëve. Ndërkohë kemi krijuar një industri ndërtimi të pallateve dhe rrokaqiejve e cila fundja fundit nuk do të zgjasë më shumë se 12 vjet. Po më tej? Shqipëria pas 20 vjetëve do t’i ngjajë një njeriu me “dhëmbë porcelani e fytyrë me botoks dhe me karrocë tetraplegjiku”.  Kur nuk ke bazament ku të mbështetesh e ardhmja nuk premton ditë të mira!

Folëm vetëm për dy artikuj të frutikulturës shqiptare: qershinë dhe fikun dhe nuk morëm përsipër të bëjmë analizën e ekonomisë shqiptare. Po ku ka pas kopsht apo bahçe në shtëpitë e shqiptarit pa këto dy fruta? Vetëm Peshkopia dhe Berati, e jo më rrethet e tjera, ishin plantacionet me qershi e fiq sa për gjithë botën. Vaj halli në ditët në vazhdim çdo heqim me rritjen e çmimeve të shalqinit e pjeprit! Për pjeshkët, do iu lëshojë goja lëng shqiptarëve të mjerë dhe do të thërrasin “Më mire një fik, se sa një mik!”…, se, po pate fikun, ke edhe mikun.

___________

Hasan SOKOLI

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *