Një situatë dramatike po zhvillohet në këto momente në zonën e pyllit të Sodës, pranë plazhit të njohur të Zvernecit, ku një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe bimësi të dendur. Zjarret e shpeshta në bregdet e jo vetëm, nga një dramë po kthehen në kërcënim për një katastrofë për natyrën dhe turizmin shqiptar. Flakët në pyllin e Sodës po përparojnë me shpejtësi dhe rrezikojnë seriozisht të përfshijnë pyllin e dendur përreth, si dhe objektet turistike që ndodhen në afërsi të plazhit të Zvernecit.
Pushuesit janë detyruar të largohen me nxitim nga plazhi, ndërsa dy mjete zjarrfikëse po përpiqen të vënë situatën nën kontroll, përballë kushteve të vështira të terrenit dhe erës që favorizon përhapjen e zjarrit.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është dyshimi paraprak se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe përgjegjësit e mundshëm të kësaj ngjarjeje që kërcënon jo vetëm mjedisin, por edhe jetën dhe pronën e qytetarëve.
Nëse situata nuk vihet shpejt nën kontroll, pasojat mund të jenë katastrofike për turizmin dhe biodiversitetin e zonës. Kjo është një thirrje urgjente për ndërhyrje të menjëhershme dhe koordinim të strukturave të emergjencës.