Qifti

Qifti: Votat numërohen me dorë, pushteti mbahet me dhëmbë

I dashur miku im i vjetër, Arben Malaj!
Pashë në Facebook-un tënd statusin, shoqëruar me një karikaturë që përpak, veç puplave të shumta, desh m’i këputi edhe krahët nga të qeshurat… Dhe, siç më ndodh sa herë që më ndizen radarët, edhe këtë herë unë fluturova mbi luginën tonë të gjatë të tranzicionit shqiptar, për të verifikuar edhe njëherë, se, edhe pas 13 vitesh, votat, jo vetëm numërohen me dorë, por, kur e kërkon partia, edhe nga dy herë.

Miku im, ke të drejtë: arkivat personale e kombëtare janë pasuria më e madhe që kemi për të kuptuar pse ky vend nuk lëviz përpara, por sillet vërdallë si një kuti plastike e tejdukshme, ku të gjithë shohin çfarë futet, por askush s’e di çfarë del. Dhe aty, në thellësi të çdo zarfi, fshihet një hall politik me emër të përhershëm: mbijetesa personale.

Në karikaturën që ke sjellë shoh të njëjtin njeri që ka vite që thotë: “Numërimi elektronik është i parakohshëm!”dhe, të them të vërtetën, mua më vjen shumë keq që ju nuk arrini të kuptoni se teknologjia, vërtetë ka përparuar shumë, por, vetëm për një kastë që nuk e ka ndryshuar as moralin, as metodën, që nga koha e votimit me gogla…

Më mirë se shumëkush, ju e dini mirë të vërtetën, miku im, se dy “të mëdhenjtë” tanë, Berisha dhe Rama, kanë qenë mjeshtra të riciklimit të pushtetit. Prandaj dhe Edi Rama nuk të pranoi të hyje në garë me të, se gara nuk ishte për kryetar partie, por për kryeadministrator të status quo-së. Të dy ata, edhe Berisha, edhe Rama, e dinë fort mirë se një sistem i drejtë zgjedhor është rrezik për mbijetesën e tyre. Prandaj s’e duan. Prandaj numërimi elektronik është “i parakohshëm”. Prandaj çdo fletë duhet të numërohet me dorë, si paratë te kambistët e rrugës. Madje, pse jo? Për t’u bërë të besueshëm në sytë e atyre që kanë frikë nga drita, edhe të lëpihet e të kafshohet. Kaq gjë nuk e kupton, miku im?! Votat në Shqipëri numërohen me dorë dhe pushteti mbahet me dhëmbë…

Të huajt? Për të huajt më pyet, miku im?! Ata kanë hallet e tyre dhe fjalorin e njëjtë: stabilitet, progres, respekt për institucionet.

Unë si Qift që i shoh gjërat nga lart më duhet të të them: ky vend nuk ka nevojë vetëm për teknologjinë e numërimit, por për vullnet për drejtësi dhe një sistem që nuk kontrollohet nga frika. Derisa kjo të ndodhë, tranzicioni ynë do të mbetet një dramë me shumë akte, ku unë dhe shqiptarët as do qeshim më, as do qajmë më, veç do rrimë si vota në kuti: të mbyllur dhe të heshtur.

Ditën e mirë!

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *