
Fatmir BAÇI

Tashmë që jemi në boshtin e vorbullës,
Të një veçimi të tejet të zhurmshëm,
Veçim që na shtyp dhe shtrëngon,
Që çdokujt i duhet të shpikë
Një pranverën e vet të paqenë,
Por të gjithë bashkë të rrëqethemi
Nga i njëjti dimër akullnajash,
Dhe të drithërojmë nga e njëjta frikë.
Ata që për çdo ditë përpiqen
Të marrin vendime për dëshirat tona,
Që për ëndrrat e tyre,
Na flasin me fjalë aq të ëmbla,
Si shpërblim për shpresat tona,
Na detyrojnë për të qenë
Gjithmonë një bindje drejtuar,
Me hap të lirë të shpenguar si delet.
Ndërsa disa mençuri të lodhura,
Që na i përplasin shpesh në fytyrë,
Për mirësinë e padyshimta
Të qethjes së deleve,
Dhe janë aq të vendosur në fjalë,
Sa as bashkëbisedues nuk kërkojnë,
Të njëjtat fjalë përsërisin gjithmonë,
Sikur po flasin me gomerë.
Ndërsa ata që flasin për dimra në sirtar,
Kanë vështrime të ftohta plot urrejtje,
Na përgjojnë fshehurazi çdo frymëmarrje,
Na numërojnë çdo rrahje të zemrës,
Ashtu që të rrisin brenda nesh
Lepuj të vegjël apo të mëdhenj.
E nëse ndodh, qoftë dhe rastësisht,
Që dikush nga ne të flasë
E me fjalët e tij të thotë të vërtetën,
Aty do të shfaqen disa njerëz të gjelbërt,
Me sende të zeza në duar,
Që sillen rrotull nesh
E na vëzhgojnë në çdo lëvizje,
Dhe ndërmjet nesh diçka numërojnë,
Që të përputhin ndoshta ndonjë mungesë.
Ndërkohë përmes gjithë kësaj,
Mendjelehtët ndërmjet nesh
Na tregojnë përralla të gjata pa fund,
Me mbretëri të mëdha pa mbret
Apo për mbret foshnjerak pa mbretëri
Që luan dhe harliset me retë,
Na flasin për njerëz të ndershëm
Të bindur e të shtruar si qilima,
E kësisojë na i hekurosin ëndrrat
Që nga fëmijëria deri në frymën e fundit.
Vetëm pasqyra nuk pajtohet me ne,
Sikur ndoshta po na gënjen,
Ose mundet të mos pranojë
Të pasqyrojë imazhin tonë të vërtetë,
Apo s’jemi më në gjendje të njohim
As veten tonë,
As ata që kemi pranë?!
A jemi ne këta që jemi…?!
A kujtohet ndonjëri prej jush,
A kemi qenë ndonjëherë fëmijë…?