Aktualitet Drejtësia Editorial Institucione opinion

Av. Edmond Petraj: Ne nuk do të heshtim!

LETËR E HAPUR

nga Av. Edmond Petraj

Drejtësisë që nuk dëgjon, drejtësisë që nuk mbron: Ne nuk do të heshtim!

Tiranë, më 25 Korrik 2025

Drejtësia shqiptare ndodhet sot në një krizë të heshtur, por thellësisht kërcënuese: po zhbëhet roli i avokatit në procesin gjyqësor. Dhe kjo nuk po ndodh nga ndonjë reformë, por nga përçmimi, nënvlerësimi dhe fshirja sistematike e zërit të mbrojtjes.

Në sallat e gjyqit, çdo ditë, avokati:

ndërpritet,

injorohet,

nuk përmendet në procesverbal,

detyrohet të flasë sa më shkurt dhe sa më shpejt,

trajtohet si barrë proceduriale, jo si garant i të drejtës.

Kjo është padrejtësi institucionale. Kjo është fshirje e mbrojtjes nga procesi, dhe rrjedhimisht – fshirje e drejtësisë së vërtetë.

Sot, në emër të shpejtësisë, po bëhet drejtësi pa mbrojtje. Në emër të efikasitetit, po zhvillohen procese ku avokati nuk ka më funksion real, por ceremonial. Dhe kjo është më shumë se shqetësim.
Është alarm!

S’ka drejtësi pa avokat. S’ka proces të rregullt pa mbrojtje.

Kur zëri i avokatit shtypet, zëri i qytetarit vdes. Kur mbrojtja zhduket, vendimet nuk janë më ligjore – janë politike, janë të manipuluara, janë të parapërcaktuara.

Nuk ka rëndësi nëse mbrojmë një të pafajshëm apo një të akuzuar rëndë – e drejta për mbrojtje është gurthemeli i çdo shoqërie që s’do të kthehet në diktaturë.

Kërkoj publikisht:

  1. Respekt të plotë procedural ndaj fjalës dhe rolit të avokatit.
  2. Ndaljen e praktikave të heshtjes apo përçmimit institucional ndaj mbrojtjes.
  3. Garanci reale për zhvillimin e mbrojtjes në kushte të barabarta me palën tjetër.
  4. Ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve të drejtësisë dhe Avokatisë për të ndalur këtë rrëshqitje të rrezikshme.

Nëse nuk ka më vend për avokatin në sallën e gjyqit, atëherë nesër nuk do ketë vend për asnjë qytetar të lirë.

Ne nuk do të heshtim. Sepse heshtja jonë është dorëzim ndaj padrejtësisë.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *