
Si je Qift? Ku humbe? U bënë kohë që s’jemi parë – i thashë sapo e pashë të ulur në një stol buzë rruge, duke parë kalimtarët me atë shikimin e tij që thotë “ju njoh mirë, të gjithëve…”.
Kam qenë me pushime – m’u përgjigj ai gjithë tangërllëk, duke shkundur e rregulluar puplat si për të më treguar që edhe qiftët kanë nevojë për detoks emocional.
Ashtu?! Po më trego ndonjë gjë të bukur, për të qeshur – iu luta unë, me shpresën se do më jepte ndonjë perlë nga ato të tijat.
Ashtu, me vetëm për të qeshur nuk di unë. Po deshe, me për të qeshur e për të qarë, të tregoj unë.
Po, mirë. Më trego ç’të duash – ia ktheva unë dhe ndalova e po e dëgjoja gjithë sy e veshë.
Ja ç’dëgjova te dhoma ngjitur me timen në plazh nga një çift i moshës tënde – më tha Qifti, dhe nisi të më rrëfejë:
“Burr, a shohim një film horor?” e pyeti gruaja të shoqin, me atë tonin që s’premton asgjë të mirë.
“Ok shpirt, vendose kaseten e dasmës sonë” – iu përgjigjigj burri, pa i hequr sytë nga gota e rakisë që duket se po i flladiste shpirtin më shumë se kujtimet…

Qifti heshti një çast, pastaj më pa drejt e në sy: E sheh? Dashuria nuk ka nevojë për efekte speciale. Mjafton një kasetë e vjetër dhe dy zemra që nuk dinë më si të flasin. Horror nuk është filmi që shohim, por ajo që jetojmë pa e kuptuar… Tani, në daç qesh, në daç qaj! Kaq kisha unë. – tha ai e pastaj u ngrit, fluturoi pak mbi rrugë dhe më la me mendime që…, s’dija: a duhet të qeshja apo të qaja?
Nejse! Vetëm për një gjë jam i sigurtë tani e tutje: kur të më marrë malli për të qeshur e për të qarë me lot, do vendos të shoh kasetën e dasmës sime…