Aktualitet Kulturë Uncategorized

Shtatori nis hidhur për artin shqiptar

Ndahet nga jeta Dhimitër Anagnosti, regjisori i popullit që lartësoi kinemanë shqiptare në nivel ndërkombëtar

Paralajmërimi për ndryshimin e motit tronditi vendin me stuhi, reshje të dendura, zjarre të përhapura dhe aksidente rrugore tragjike. Por mbi të gjitha, ky fillim shtatori u shënua nga humbje të mëdha njerëzore dhe artistike. Lajmi i ndarjes nga jeta të artistit të popullit Dhimitër Anagnosti, menjëherë pas humbjes së Naun Shundit, rikthen një ekuinoks ngjarjesh që duket se përsëritet në Shqipëri çdo pesë apo dhjetë vjet, kur largohen nga kjo botë figura të shquara nga fusha të ndryshme të jetës.

Shtatori shpirtëror i këtij viti nisi me dhimbjen për humbjen e një artisti me përmasa ndërkombëtare. Shkolla e regjisë shqiptare humbi një model të rrallë, një pikë orientimi për brezat e rinj që dashurojnë artin e shtatë – kinematografinë. Në filmat e tij, Anagnosti ka fiksuar në celuloid tiparet më të thella dhe më të dukshme të karakterit shqiptar. Lirizmi dhe epopeja janë dy shtyllat e artit të tij.

Ai vendosi një standard të lartë për filmin shqiptar në arenën ndërkombëtare, falë kërkesave të tij të rrepta për disiplinë artistike, harmonizim të grupit të xhirimit dhe përkushtim ndaj veprës. Nuk pyeste për cenet biografike të artistëve, por zgjidhte ata që ishin vërtetë në shërbim të artit.

Me pjekuri, eksperiencë dhe pasion për kinemanë shqiptare, Dhimitër Anagnosti na dha filma që nuk do të harrohen kurrë. Himara e shenjtë, përmes filmit të tij, u shfaq si një bibël e gdhendur në ar – e mbushur me dhimbje, lot, luftë kundër pushtuesve dhe një panoramë artistike që rivalizon rivierat më të njohura botërore.

Ai konkurroi me veprën e Kadaresë dhe regjisorët më të mirë të botës me filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Regjia e tij solli hapësirën mentale shqiptare me një origjinalitet dhe identitet të theksuar kombëtar, si askush tjetër. Gjuha filmike që përdorte ishte komunikative jo vetëm për publikun shqiptar, por edhe për atë ndërkombëtar – kujtojmë këtu “Lulëkuqet mbi mure” dhe “Në shtëpinë tonë”, të vlerësuara nga juritë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si artist polivalent, që njihte mirë kamerën dhe skenarin, ai u bë një autor i vërtetë filmi – një fenomen i rrallë në kinemanë botërore. Popujt që e kanë kulturën si tempullin e tyre më të çmuar, e vuajnë thellë humbjen e figurave të tilla.

Në mjetet e informimit dhe komunikimit, do të ndjeni ndjeshmërinë dhe respektin për këtë figurë të artit. Por ajo që do të mbetet përjetësisht është vepra e tij regjisorale. Në vendin e shqiponjave, biseda për artin është qielli ku lartësohen shpirtrat e artistëve – engjëj që nuk i kemi më mes nesh.

Nëse dikur mbilleshin pemë në kujtim të artistëve të “Teatrit Popullor”, sot më shumë se kurrë duhet menduar për ngritjen e një “Muzeu të Artit Shqiptar”. Duhet të ndalojnë qokat për oligarkët dhe t’i jepen hapësirat publike artit. Nuk mund të vazhdojmë të marrim me qira toka nga privatët për aktivitete artistike, e aq më pak të gjejmë justifikime për të mos ngritur një muze të tillë.

Nga Kastriot KOTONI

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *