
Nga Alija Izetbegović
“Ekziston një lloj njerëzish që admirojnë pushtetin e fortë, duan të jenë nën disiplinë, ‘adhurojnë’ rregullin, atë të jashtmin, siç mbizotëron në ushtri, ‘ku dihet kush urdhëron e kush dëgjon’. Shija e tyre anon nga pjesët e reja të qytetit, ku të gjitha shtëpitë janë të njëjta, në rreshta të rregullt dhe me fasada të njëjta. Ata pëlqejnë muzikën prej llamarine, uniformat, spektaklet, paradat dhe gënjeshtrat e tjera që ‘zbukurojnë’ jetën dhe e bëjnë më të lehtë. Veçanërisht duan që ‘gjithçka të jetë sipas ligjit’. Këta janë njerëz me mentalitet nënshtrimi. Ata thjesht duan të jenë të nënshtruar, duan siguri, rregull, sistem, duan të lavdërohen nga eprorët e tyre, duan të jenë ‘në mëshirë’. Ata janë qytetarë të ndershëm, të qetë, besnikë, madje të drejtë. Të nënshtruarit duan të kenë pushtet, dhe pushteti do të ketë të nënshtruar. Ata ecin së bashku si pjesë të një tërësie. Nëse nuk ka autoritet, të nënshtruarit e shpikin atë.
Në anën tjetër qëndron një lloj tjetër njerëzish, të pafat, të mallkuar apo të përjashtuar, që gjithmonë ankohen për diçka, që gjithmonë duan diçka të re. Ata flasin më pak për bukën, dhe më shumë për lirinë; më pak për rregullin dhe qetësinë, dhe më shumë për personalitetin njerëzor. Ata nuk e pranojnë që perandori u jep pagë, përkundrazi, ata thonë se ata e ushqejnë perandorin (‘pushteti nuk na mban ne, por ne e mbajmë pushtetin’). Këta heretikë të përjetshëm zakonisht nuk e duan pushtetin, dhe as pushteti nuk i do ata. Nëse janë fetarë, TË NËNSHTRUARIT ‘adhurojnë’ njerëzit, autoritetet, idhujt, figurat; NDËRMARRËSIT E LIRË dhe REBELËT adhurojnë një Zot të vetëm. Sepse, ndërsa adhurimi i idhujve nuk pengon skllavërinë dhe nënshtrimin, besimi i vërtetë nuk pengon lirinë.”
Përktheu Fatmir BAÇI