Qift! Më 15 shtator do të mblidhet Parlamenti i ri. Si e parashikon atë ditë?
Qifti, pasi më hodhi atë vështrimin e tij mospërfillës, m’u përgjigj:
Parlamenti do të mblidhet pasdite, i dashur. Tamam si në një dasmë, por pa raki, mish e muzikë… Shumë fjalë, shumë kostume të shtrenjta, gravata…, por askush s’e di kush do vallëzojë i pari. Deputetët do të hyjnë në sallë rëndë rëndë, ndërsa unë do zë vend në galeri. Pranë kam gazetarë, fotoreporterë e kameramanë…
Dëgjomë mua, i dashur! Parlamenti i ri është si një shishe verë e sapohapur. Ka aromë, ka zhurmë, por s’e di ende a do të më dehë nga mendimi apo nga zhgënjimi…
Do nisë seanca… Një deputet i moshuar do zërë vend te podiumi në krye… Deputetët, po ashtu do zënë vendet e tyre në dsllë… Disa do bëjnë selfie me flamurin. Të tjerë do kontrollojnë Instagramin për ndonjë story nga foltorja. Papritur, një deputet do ngrejë dorën.
Drejtuesi i seancës, i befasuar do t’i thotë:
— Po. E ka fjalën zoti deputet. Urdhëroni!
Deputeti ngrihet, rregullon mikrofonin, dhe thotë me ton serioz:
— Zoti drejtues i seancës… desha të propozoj që të vendoset një karikues telefoni në çdo karrige. Se me këtë orar, s’na mban dot as bateria, e jo më durimi.
Heshtje. Pastaj një e qeshur e lehtë, si një valë që përplaset në brigjet e absurditetit. Drejtuesi i seancës tund kokën:
— Mirë zoti deputet, do ta shqyrtojmë. Por shpresoj që karikimi të mos jetë më i shpejtë se reflektimi.
…Dhe atëherë, të gjithë ju do kuptoni: Kur fjala e parë në Kuvend është për karikuesin, do të thotë se reforma s’do të vijë me ligj, por me USB…
Ok?