
Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, ka deklaruar se besueshmëria e Bashkimit Evropian në politikën e jashtme po “shkatërrohet”, për shkak të dështimit për të vepruar lidhur me luftën e Izraelit në Gaza.
“Është e pamohueshme se Bashkimi Evropian, në këtë fazë, nuk po përmbush përgjegjësitë e tij përballë kësaj krize humanitare të përmasave të mëdha,” u shpreh Prévot në një intervistë.
Ai theksoi se besueshmëria e politikës së jashtme të BE, në sytë e opinionit publik, po shembet në lidhje me këtë çështje.
Belgjika ka njoftuar se do të njohë shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB këtë muaj dhe do të vendosë njëanshëm sanksione të reja ndaj Izraelit, në përgjigje të krizës humanitare në Gaza.
“Ka një detyrim moral, por edhe një domosdoshmëri ligjore për të vepruar. Shtetet janë palë në konventa dhe traktate ndërkombëtare që i detyrojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar gjenocidin,” theksoi diplomati më i lartë i Belgjikës.
“Ne duhet të jemi mbrojtës aktivë të së drejtës ndërkombëtare,” përfundoi ai.