
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka kërkuar me forcë që Izraeli të ndalë katastrofën humanitare në Gaza, ku njerëzit po vdesin nga uria.
“Kjo është një katastrofë që Izraeli mund ta kishte parandaluar dhe që mund ta ndalë në çdo moment,” deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus për gazetarët.
Sipas tij, të përdorësh urinë e civilëve si metodë lufte është një krim lufte, që nuk mund të tolerohet:
“Një precedent i tillë rrezikon të legjitimojë përdorimin e urisë si armë edhe në konflikte të tjera në të ardhmen.”
Deklaratat e kreut të OBSH-së vijnë dy javë pasi Kombet e Bashkuara shpallën zyrtarisht gjendjen e urisë në Gaza, duke fajësuar bllokimin sistematik të ndihmave humanitare nga Izraeli.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka raportuar se 373 persona kanë humbur jetën nga uria dhe kequshqyerja që prej fillimit të luftës në tetor 2023, mes tyre 134 fëmijë.
Tedros Adhanom Ghebreyesuse konfirmoi këtë shifër dhe shtoi se mbi 300 prej këtyre vdekjeve kanë ndodhur vetëm në dy muajt e fundit.
“Njerëzit po vdesin nga uria, ndërkohë që ushqimi që mund t’i shpëtonte ndodhet pak metra më tutje, nëpër kamionë që nuk lejohen të futen,” – theksoi ai.
“Pjesa më e padurueshme e kësaj katastrofe të shkaktuar nga njeriu është se ajo mund të ndalet menjëherë.”