Aktualitet

Astiri, lagjja me 70 mijë banorë pa asnjë shkollë publike!

Në fillim të vitit të ri shkollor, fëmijët e Astirit detyrohen të udhëtojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë, pasi zona ende nuk ka asnjë institucion arsimor publik.

Në zemër të Tiranës, ku jetojnë rreth 70 mijë banorë, ndodhet një paradoks i madh: Astiri, një nga lagjet më të mëdha dhe më të populluara të kryeqytetit, ende nuk ka një shkollë ose kopsht publik.

Më 8 shtator, fëmijët e kësaj zone do të nisin vitin e ri shkollor, por ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre në pjesë të tjera të Shqipërisë, ata janë të detyruar të përballen çdo mëngjes me udhëtime të gjata e lodhëse drejt shkollave të tjera. Disa udhëtojnë me urbanë të mbipopulluar, të tjerë detyrohen të ecin në këmbë apo të presin që prindërit t’i shoqërojnë me makina në mes të trafikut të rënduar të Tiranës.

Banorët e Astirit prej vitesh kanë kërkuar ndërtimin e një shkolle dhe të një kopshti publik në lagjen e tyre, por deri më sot kërkesat kanë mbetur të paplotësuara. Ndërkohë, problemet e mungesës së infrastrukturës arsimore reflektohen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të fëmijëve dhe familjeve të tyre.

Realiteti është i pamohueshëm: edhe këtë vit shkollor, fëmijët e Astirit do të vazhdojnë të shkojnë në shkollë larg shtëpive të tyre, ndërsa kryeqyteti ende përballet me sfidën e mësimit me dy turne një situatë larg standardeve europiane që Shqipëria aspiron të arrijë./perpjekjashqipetare.al

Shkruar nga Borea Lisi

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *