
Për herë të parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përfshirë ilaçet për humbjen e peshës në listën e barnave esenciale, duke i cilësuar si vendimtare në luftën kundër obezitetit.
OBSH ka bërë një hap historik, duke përfshirë trajtimet me agonistë të GLP-1, barna që imitojnë një hormon natyral dhe përdoren fillimisht kundër diabetit të tipit 2, në listën e barnave më të rëndësishme për shëndetin publik. Kjo listë, e cila përditësohet çdo dy vjet, përmban vetëm ilaçe që konsiderohen të domosdoshme.
Në kategorinë e re përfshihen semaglutidi (Ozempic, Wegovy), tirzepatidi (Mounjaro), si dhe dulaglutidi dhe liraglutidi. Sipas OBSH, këto trajtime mund të luajnë një rol vendimtar, pasi vetëm në vitin 2021 mbi 3,7 milionë vdekje u lidhën me mbipeshën dhe obezitetin më shumë se shifrat e kombinuara të SIDA, tuberkulozit dhe malaries.
Fillimisht të krijuara për diabetin e tipit 2, këto barna kanë treguar se ndihmojnë jo vetëm në uljen e peshës, por edhe në reduktimin e rrezikut kardiovaskular. Megjithatë, çmimi i tyre aktual është shumë i lartë, shpesh mbi 1.000 dollarë në muaj, çka i bën të paarritshme për shumicën e pacientëve.
OBSH paralajmëron se kosto të tilla kufizojnë aksesin dhe bën thirrje për nxjerrjen e versioneve gjenerike më të lira. Studiuesi Andrew Hill nga Universiteti i Liverpool vlerëson se një semaglutid gjenerik mund të prodhohet në Indi me vetëm 4 dollarë në muaj një diferencë e jashtëzakonshme krahasuar me çmimet aktuale.
Patenta e semaglutidit pritet të skadojë në disa vende që në vitin 2026, duke hapur rrugën për prodhimin e barnave gjenerike. Ky hap mund të revolucionarizojë trajtimin e obezitetit dhe diabetit, duke u dhënë akses më shumë se një miliard njerëzve obezë dhe 800 milionë pacientëve me diabet në mbarë botën.