
Gjykata e Kasacionit ngre dyshime mbi ligjshmërinë e marrëveshjes Rama–Meloni për qendrën e Gjadrit, duke e çuar çështjen në Kushtetuese.
Marrëveshja mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni për menaxhimin e emigrantëve, e njohur si “Operacioni Albania”, është vënë në pikëpyetje pas një vendimi të rëndësishëm të Gjykatës së Kasacionit në Itali.
Në qendër të debatit ndodhet qendra e riatdhesimit në Gjadër, e hapur sipas protokollit të nënshkruar mes dy qeverive. Gjykata italiane ka cilësuar të paligjshëm ndalimin për 48 orë të emigrantëve pa vendim gjyqësor, siç parashikon dekreti i qeverisë italiane. Ky veprim, sipas trupit gjykues, përbën shkelje të së drejtës themelore për lirinë personale.
Rasti nisi nga padia e një emigranti, i cili fillimisht u vendos në qendrën e Gjadrit dhe më pas u transferua në Bari, ku qëndroi dy ditë i ndaluar pa vendim ligjor. Për këtë arsye, Gjykata vendosi ta çojë çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se dispozitat e dekretit bien ndesh me gjashtë nene të Kushtetutës italiane dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vendimi ka shkaktuar menjëherë reagime të ashpra politike në Itali. Opozita e konsideron këtë një tjetër dështim të qeverisë Meloni në menaxhimin e krizës së emigrantëve. Deputeti i Lëvizjes Pesë Yje, Alfonso Colucci, deklaroi se masat e miratuara janë joefektive, të paligjshme dhe cënojnë të drejtat themelore, duke paralajmëruar se mungesa e një strategjie të qartë po e zhyt Italinë në kriza të njëpasnjëshme ligjore dhe politike.