
Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se samiti i ardhshëm i G20, që do të zhvillohet në dhjetor 2026, do të mbahet në resortin e tij Trump National Doral, pranë Miami në Florida.
Ky vendim ka shkaktuar polemika të menjëhershme për përzierjen e interesave private me detyrën publike. Kritikët e akuzojnë presidentin se po përdor një ngjarje ndërkombëtare për të përfituar ekonomikisht. Megjithatë, Trump ka deklaruar se as ai dhe as familja e tij nuk do të përfitojnë financiarisht, duke e quajtur Doral “vendin më të mirë” për një ngjarje të këtij niveli.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, shërbimet për organizimin do të faturohen “në kosto”, duke shmangur çdo konflikt interesi. Resorti i Trump është i njohur për kapacitetet e mëdha akomoduese dhe afërsinë me aeroportin ndërkombëtar në Miami.
Ndërkohë, është bërë e ditur se Trump nuk do të marrë pjesë në samitin e G20 të vitit 2025 në Afrikën e Jugut. Në vend të tij, SHBA do të përfaqësohen nga zvëvendëspresidenti JD Vance.