
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka refuzuar sërish mundësinë që një takim i tij me presidentin rus Vladimir Putin të zhvillohet në Moskë. Në një intervistë për kanalin amerikan ABC News, Zelenski deklaroi:
“Ai mund të vijë në Kiev”, tha presidenti ukrainas, duke iu referuar qëndrimit të Putinit se një takim i tillë mund të bëhet vetëm në kryeqytetin rus. Zelenski theksoi se nuk mund të udhëtojë në Moskë, ndërkohë që vendi i tij sulmohet çdo ditë.
Zelenski ka kërkuar prej kohësh një takim me Putinin për të diskutuar drejtpërdrejt mbi një armëpushim në luftën që vazhdon prej më shumë se tre vjetësh. Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se të paktën shtatë vende janë ofruar si vendtakim neutral, mes tyre Turqia dhe disa shtete të Gjirit që konsiderohen të paanshëm.
Nga ana e tij, Putin, gjatë një konference në Vladivostok, tha se Zelenski mund të vijë në Moskë nëse ekziston perspektiva për një marrëveshje të mirë. Megjithatë, ai shprehu dyshime mbi efektshmërinë e bisedimeve dhe përsëriti qëndrimin e tij duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Selenskyjt si udhëheqës shteti.