Nga Gjermania në Britani, afro 90 operatorë postarë pezullojnë shërbimet me SHBA, rëzim historik i trafikut!

Plot 88 operatorë postarë në mbarë botën kanë pezulluar plotësisht ose pjesërisht dërgesat drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të tarifave të reja doganore të vendosura nga Uashingtoni. Kjo ka shkaktuar një rënie dramatike prej mbi 80% të volumit të trafikut postar drejt SHBA-ve, njoftoi të shtunën Agjencia Postare e Kombeve të Bashkuara.
Sipas një komunikate zyrtare të Unionit Postar Universal (UPU), vetëm dërgesat midis individëve me vlerë më të ulët se 100 dollarë mbeten të përjashtuara nga detyrimet doganore.
Drejtori i përgjithshëm i UPU-së, Masahiko Metoki, deklaroi se po punohet intensivisht për një zgjidhje teknike të re që do të mundësojë rinisjen e dërgesave postare drejt SHBA-ve.
Të dhënat e transmetuara përmes rrjetit elektronik të UPU-së tregojnë se trafiku postar drejt SHBA-ve ka rënë me 81% deri në fund të muajit gusht, krahasuar me një javë më parë.
Në mesin e operatorëve që kanë pezulluar dërgesat përfshihen Deutsche Post (Gjermani) dhe Royal Mail (Britani e Madhe), ndër operatorët më të mëdhenj postarë në Evropë.
E themeluar në vitin 1874 dhe me seli në Bernë, UPU është një organizatë ndërkombëtare me 192 shtete anëtare, që rregullon shkëmbimet postare në nivel global dhe ofron rekomandime për përmirësimin e shërbimeve.
Me një dekret të datës 30 korrik, administrata amerikane vendosi, me efekt nga 29 gushti, të heqë përjashtimin nga tarifat doganore që deri më tani përfitonin paketat e vogla postare (dërgesat me vlerë 800 dollarë, ose më pak).
Që nga atëherë, këto dërgesa janë të detyruara të paguajnë të njëjtat tarifa doganore si të gjitha importet e tjera nga vendet e origjinës; 15% për vendet e Bashkimit Evropian dhe 50% për Indinë. Vetëm dërgesat midis individëve me vlerë më pak se 100 dollarë mbeten të përjashtuara nga tarifat.
Ky vendim shkaktoi një valë pezullimesh të dërgesave drejt SHBA-ve nga shërbimet postare të shumë vendeve.
Problemi kryesor nuk është vetëm afati i shkurtër për zbatimin e vendimit, por edhe detyrimi i transportuesve dhe palëve të autorizuara për të mbledhur paraprakisht tarifat doganore nga dërguesit dhe për t’i transferuar ato në Administratën Doganore dhe të Mbrojtjes së Kufijve të SHBA-së, shpjegoi UPU në fund të gushtit. Presidenti Donald Trump justifikoi këtë vendim si një mënyrë për të mbyllur një hendek katastrofik që përdorej, mes të tjerash, për të shmangur tarifat.