
Ka nisur në Francë një proces gjyqësor i bujshëm ndaj ish-anestezistit Frédéric Péchier, i cili akuzohet se ka helmuar qëllimisht 30 pacientë, 12 prej të cilëve kanë humbur jetën. Seancat po zhvillohen në Gjykatën e Apelit në qytetin Besançon dhe pritet të zgjasin deri më 19 dhjetor 2025, duke u cilësuar si një prej proceseve më të mëdha të viteve të fundit.
Mjeku 53-vjeçar, i cili ka punuar në dy klinika private, mes viteve 2008 dhe 2017, dyshohet se ka ndotur qeset e serumeve, për të shkaktuar arrest kardiak tek pacientët. Viktimat variojnë në moshë nga 4 deri në 89 vjeç. Prokuroria e përshkruan si emëruesin e përbashkët në të gjitha rastet, ndërsa provat janë përshkruar si një fashë elementësh të përputhura që e rëndojnë pozitën e tij.
Péchier, që ka qenë gjithmonë nën masën e kontrollit gjyqësor dhe nuk është arrestuar asnjëherë gjatë hetimeve, rrezikon burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor. Ai ka mohuar çdo akuzë dhe përmes avokatëve të tij, ka paralajmëruar se do të kërkojë shpalljen e pafajësisë. Është hera e parë që ai ka mundësinë të shpjegohet plotësisht, theksoi mbrojtja.
Procesi do të trajtojë fillimisht rastet më të fundit, ato që nxitën hapjen e hetimit në vitin 2017. Ndër këto është edhe rasti i Sandra Simard, e cila në moshën 36-vjeçare mbijetoi një arrest kardiak gjatë një operacioni në klinikën “Saint-Vincent”. Hetuesit zbuluan në serumin e saj një sasi vdekjeprurëse kaliumi. Një tjetër viktimë e njohur, Jean-Claude Gandon, atëherë 70 vjeç, gjithashtu mbijetoi falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve.
Më shumë se 150 palë civile, pacientë të mbijetuar dhe familjarë të viktimave janë të përfaqësuar në këtë proces nga rreth 50 avokatë. Ky gjyq, që pritet të zgjasë disa muaj, shihet si një test i rëndësishëm për drejtësinë franceze dhe një moment kyç për të hedhur dritë mbi një prej çështjeve më tronditëse të viteve të fundit në mjekësi.