Australi: Gruaja dënohet me burgim të përjetshëm për helmimin e familjes së bashkëshortit, me kërpudha vdekjeprurëse!

Një ngjarje që tronditi Australinë dhe tërhoqi vëmendjen e mbarë botës ka marrë epilogun e saj gjyqësor. Erin Patterson, 50 vjeçe, është dënuar me burgim të përjetshëm, me mundësi lirimi me kusht pas 33 vitesh, pasi u shpall fajtore për vrasjen e prindërve të bashkëshortit dhe të hallës së tij, si dhe për tentativë vrasjeje ndaj xhaxhait të tij.
Ngjarja ndodhi më 29 korrik 2023, kur Patterson shërbeu një darkë familjare në qytetin e vogël Leongatha, në juglindje të Australisë. Ajo kishte përgatitur mish viçi me brumë të mbështjellë, por të përzier me amanita phalloides, një nga kërpudhat më vdekjeprurëse në botë. Tre nga të ftuarit humbën jetën brenda një jave, ndërsa vetëm njëri mbijetoi pas një periudhe të gjatë në spital. Bashkëshorti i saj, Simon Patterson, fatmirësisht nuk mori pjesë në darkë.
Në sallën e gjyqit, gjykatësi Christopher Beale e cilësoi Patterson si pa asnjë shenjë pendese, duke theksuar se ashpërsia e krimit kërkonte dënimin maksimal.
Hetimet zbuluan gjithashtu se gruaja kishte shpikur një histori të rreme për një sëmundje kanceri, me qëllim që të tërhiqte të afërmit në darkë. Për më tepër, prokuroria ngriti dyshime se ajo kishte tentuar të vriste bashkëshortin edhe tre herë të tjera mes viteve 2021 dhe 2022, duke përdorur po ushqimin si mjet helmimi.
Pavarësisht pretendimeve të saj se gjithçka kishte qenë aksidentale, gjykata e konsideroi veprimin një krim të paramenduar dhe e shpalli fajtore.