
Emri i poetit Frederik Reshpja njihet nga lexuesi shqiptar edhe pa e ditur se kush ka qenë dhe çfarë jete ka pasur. Fenomeni Reshpja erdhi në letërsinë shqipe në vitet 1967 e tëhu, si një hapësir letrare mes reve të kohërave që lëviznin herë në harresë dhe herë zhdUkeshin që të shihje qiellin blu në pafundësi. Poezisë së tij i kanë kushtuar vëmendje studiues si Joans Joakin Lansh (Gjermani), i cili ndër të tjera shkruan “… Vepra e Frederik Reshpes është poezi e dorës së parë e kalibrit europian”. Një tjetër studiues i mirnjohur Robert Elsie (Francë, Kanada) shprehet për Frederik Reshpen: “… Që në rininë e tij ka qenë poet tronditës”, një kritik spanjoll si Hoze Riviera (poet, kritik, Spanjë) shkrun “… poezia e Frederikut mua si njohës i letërsisë shqipe më është dukur poezi e kalibrit të madh të vërtetë”. Vlerësim tjetër për Frederikun na vjen nga Amerika nëpërmjet botuesit Henri Izrael: “…është një poezi tronditëse dhe me mjeshtëri që ne, amerikanëve, na mungon”. ”…do të kisha dashur që Frederiku të ishte rus ose unë shqiptar, pasi jam shumë i dashuruar me poezinë e tiij jashtëzakonisht inteligjente dhe të ndjeshme. Ne kemi Pushkinin, Eseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë”, shkruan kritiku rus Ivanov (Rusi). Kritiku Leo d’ Rua nga Franca shprehet “… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit”. Shkrimtari Ismail Kadare ka këtë koment për Frederikun të cilin e vlerëson si një poetët më të mirë të Shqipërisë dhe mënyra e të shkruarit të tij impulsive dhe spontane të kujton Moxartin. “… poezia e Frederikut më ka pëlqyer gjithmonë për mjeshtërin e veçantë” shprehet Dritëro Agolli. “… nuk kam parë ndonjëherë njeri më të talentuar dhe më fatkeq se Frederik Reshpja”, shkruan miku i tij deri në ditën e ndarjes nga jeta Moikom Zeqo. Këto komente dhe kritika i janë bërë Frederikut në gjallje të tij, atëhere kur shteti shqiptar nuk i jepte pension dhe ndihmë këtij poeti të burgosur në regjimin diktatorial me 18 vjet burg. Atë shumë herë e kishte vënë jeta përball shtetit, i cili nuk e donte në të dy sistemet, siç shprehej për një pension që i kishte lidhur “Pen Klubi” në Londër të cilin e anulloi shteti shqiptar, me ndërhyrje direkte. Kryeministri socialist i kohës Fatos Nano së bashku me deputetin Namik Dokle i ksihin premtuar për një pension special përpara fushatës zgjedhore dhe ata e mashtruan. Nga ky shkak zhgënjimesh, ai kishte ndërmend të vriste veten dhe pranë Biblotekës Kombëtare e kishin gjetur pistoletën dy policë shërbimi të cilën Frederiku e kishte flakur dhe ishte zgjuar paq, si një katolik që nuk e pranonte vetëvrasjen, e quante krim fetar. Dëshmitar të shumtë tregojnë për jetën e këtij poeti dhe ai nuk kishte pranuar kurrë rreshtimin në taborret e partive, aq sa e thoshte shpesh në shkrimet dhe intervistat e tij në shtypin e kohës që në ditët e para të demokracisë, se “ata ishin dhe ata janë komunistët e dikurshëm sot në pushtet”. Jetë sfilitëse në kërkim të një kauze familjare (prindërore), si në asnjë tragjedi që nga kohët e Eskilit, ai nuk u lodh së kërkuari të birin e tij. “Mashtrimi, se djali ishte gjallë i mori ditët më të lumtura të jetës”, njeriut që nuk i njihte të djelat. Filloj të organizoj një shtëpi botuese Evropa dhe pati sukses në biznes deri sa një ditë i erdhën në shtypshkronjë shteti me policë, sepse kishte shtypur mijra fletë kundër projektkushtetutës. Kërkimet nëpër botë të djalit e sfilitën, nga ana shëndetësore, por edhe materiale poetin, shkrimtarin, gazetarin, botuesin e ëndrrës evropiane Frederik Reshpja. Ai tregonte, se sa keq u ndje, kur ish njeriut që e kish denoncuar i kërkoi që t’i fliste, ai nuk foli dhe ky i thotë: “Ore po në vend të kujtosh çfarë më ke bërë dhe të kërkosh ndjesë, më del përballë, sikur nuk ka ndodhur asgjë”. E qëlloi me shpullë Frederiku denoncuesin dhe ishte ndjerë aq i fyer që e kish kryer atë akt, sa nuk ia falte vetes. Fredriku e kishte vath në vesh thënien e Heminguej që thoshte: “shkrimtari duhet të vuaj si shpata në zjarr, që të bëhet një shkrimtar i mirë”, por vuajtja e tij ishte e tepërt e paimagjinueshme, sa që edhe në burg kishte bërë grevë urie një muaj dhe kishte ndjenjur në qeli për dhjetë muaj. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e kishte dënuar në moshën më të bukur të rinisë (17 veçare), këtë armik të rrezikshëm të partisë, “o tempora o mores”? Revanshi i jetës e kish hedhur në krah të një gruaje të cilës i kishte dedikuar poezinë “Lora” dhe kur kish dalë nga burgu i kishte ruajtur fotografinë. Ndërsa nënës së tij, dhimbjes së thellë të jetës, e cila i ishte gjendur pranë në ditët më të vështira të burgut komunist, ai i ka kushtuar një poezi që të trondit me emocionin e saj prekës, ndoshta nuk ka një të dytë në botë me këtë lloj poezie? Atë vetëm emri i nënës e sillte ndër vete, se nga ajo jetë ferri në vetmi, herë me një vend banimi dhe herë diku jashtë, kur nuk kishte lekë për të paguar hotelin fliste si në jerm dhe lidhte emra njerzish e ngjarjesh plot fantazi. Në Kosovë ishte ndjerë mirë dhe i respektuar dhe nuk ndalej së foluri për Kosovën dhë çështjen shqiptare. Shkodrën qytetin e tij të lindjes e adhuronte, por dhe i vinte keq, se si po e përdorte politika në fillim të viteve 1990-të, u bë kryeredaktor i gazetës “Ora”, si një zë i fuqishëm i opozitarizmit të majtë shqiptar. Në kohët e vështira kujtonte miqtë e burgut Edison Gjergon, Ali Osekun dhe Xhevat Alibalin, po të kihet parasysh se ai kishte (vizituar) të gjitha burgjet e Shqipërisë duke kryer dënimin sa në Qaf Bari, Spaç, Burrel, e Sarandë. Ai kur shkruante thoshte se kryente një ritual të perëndisë, “sepse edhe pse nuk dua të jem në këtë botë, nuk rri dot pa shkruar që të kujtohem se jam gjallë”. Fiton çmimin e poezisë në vitin 2004 me vëllimin “Në vetmi”, kur kishte filluar të shkruante poezi qysh në moshën 10 vjeçare dhe pikturonte shumë bukur po në atë moshë, botonte për herë të parë në vitin 1967 përmbledhje me poezi “Rapsodi shqiptare” dhe më vonë tregime e poezi për fëmijë dhe romane e drama. Shkrojti lirika me titullin “Erdhi ora të vdes përsëri”në vitin 1994. U dekorua pas vdekjes me titullin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës i ndjeri Bujar Nishani. “Arti është i përjetshëm, jeta është e shkurtër”, ky postulat latin, ka gjetur vend në jetën e shkurtër dhe veprën e madhe të Frederik Reshpes. Ai u nda nga jeta në moshën 66 vjeçare në datën 17 shkurt të vitit 2006 dhe u preh në varrezat eKishës katolike të Shkodrës (Rrënaj) më 18 shkurt.
Nga Kastriot KOTONI