
Banorët e Brukselit ftohen të marrin pjesë në një nismë ekologjike që synon përmirësimin e biodiversitetit urban përmes mbjelljes së pemëve frutore
Një blerje e përbashkët e pemëve dhe shkurreve frutore po i jep një pamje më të gjelbër kryeqytetit belg. Shoqata ekologjike Velt ka nisur fushatën vjetore për të shpërndarë mijëra pemë frutore te banorët e Brukselit, si pjesë e programit “Verger Partagé” me mbështetjen e rajonit të Brukselit.
Objektivi? Më shumë se 10mijë pemë të mbjella në qytet, në një përpjekje për të rritur biodiversitetin, për të ofruar hije dhe fruta të freskëta, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës urbane.
Banorët mund të zgjedhin mes rreth 50 llojesh pemësh dhe shkurresh frutore: mollë, dardhë, qershi, por edhe fruta të vogla si manaferra, rrush pa fara apo groshë të kuqe. Preferohen varietete të lashta dhe të qëndrueshme ndaj sëmundjeve, si mollët “Reine des Reinettes” apo qershitë tradicionale të Brukselit “Griotte de Schaerbeek”.
Nisma është gjithashtu e përshtatshme për ata që jetojnë në apartamente apo në ambiente pa kopsht. Disa varietete mund të kultivohen me lehtësi në ballkone ose tarraca.
Përveç ndihmës në gjelbërimin e qytetit, kjo nismë promovon edhe prodhimin lokal, cilësor dhe të qëndrueshëm. Pépinières de la Hunelle, partner i projektit, garanton cilësinë përmes certifikatës Certifruit, që siguron origjinën dhe pastërtinë e varieteteve të shpërndara.
Kjo iniciativë është pjesë e një trendi më të gjerë të ekologjisë urbane në Bruksel, siç dëshmohet nga projektet e fundit në komunën Forest, ku testohen varietete frutore të përshtatura me ndryshimet klimatike.