Aktualitet

GJKKO refuzon kërkesën për lirimin e Ilir Metës, ish-presidenti mbetet në qeli!

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi këtë të hënë, më 8 shtator 2025, të lërë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg” për kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Meta nuk ishte i pranishëm në seancë, por përfaqësohej nga avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili kërkoi që masa të zëvendësohej me një më të lehtë, duke argumentuar se hetimet kishin përfunduar dhe se nuk ekzistonte më rreziku që provat të manipuloheshin. Megjithatë, gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë.

Kujtojmë se Meta u arrestua më 21 tetor 2024, nën dyshimet për përfshirje në afera korruptive dhe pastrim parash, të lidhura me disa kompani private dhe transaksione të paligjshme të pronave, si edhe për lobime në Shtetet e Bashkuara.

Në të njëjtën çështje, deputetja Monika Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të të ardhurave. Për të, si dhe për të hetuarën tjetër Ema Çoku, Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” në Policinë Gjyqësore.

Ndërkohë, për Piro Xhixhon, të akuzuar për korrupsion pasiv, masa u lehtësua nga “arrest shtëpie” në detyrim paraqitjeje. Vendimi i sotëm i GJKKO-së pritet të rëndojë më tej situatën politike, ndërsa qeveria përballet me akuza të vazhdueshme për korrupsion dhe mungesë transparence.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *