Bota

Kaos dixhital në Azi dhe Lindjen e Mesme: Prerje kabllosh nëndetare në Detin e Kuq!

Microsoft dhe NetBlocks konfirmojnë ndërprerje të internetit në disa vende, për shkak të dëmtimit të kabllove ndërkombëtare nëndetare pranë Arabisë Saudite

Të shtunën vonë, kompania Microsoft njoftoi se disa kabllo nëndetare që shërbejnë për komunikimet dhe rrjetin ndërkombëtar të internetit janë prerë në Detin e Kuq, duke shkaktuar ndërprerje të ndjeshme të qarkullimit të të dhënave në Azi dhe Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë të publikuar nga platforma e kompanisë, Microsoft Azure, thuhet se rajoni i Lindjes së Mesme mund të përjetojë vonesa në qarkullimin e të dhënave për shkak të dëmtimeve të kabllove nëndetare në Detin e Kuq. Sipas kompanisë, trafiku që nuk kalon nga ky rajon nuk është prekur.

Nga ana tjetër, organizata britanike NetBlocks, që monitoron aksesin global në internet, konfirmon se një sërë defektesh në kabllot nëndetare pranë qytetit Xheda të Arabisë Saudite kanë dëmtuar rëndë lidhjen dixhitale në vende si India, Pakistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Bëhet fjalë për rrjetet kabllore SMW4 dhe IMEWE, që kalojnë në këtë zonë strategjike.

Kabllot nëndetare janë shtylla kurrizore e komunikimeve moderne globale, rreth 99% e trafikut ndërkombëtar të të dhënave kalon përmes tyre. Sipas Komitetit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Kabllove (CIPC), ndodhin rreth 150 deri në 200 defekte në vit, kryesisht për shkak të ankorimeve të anijeve ose aktivitetit detar. Por ekspertët nuk përjashtojnë as sulmet e qëllimshme si shkak të mundshëm.

Ky incident ndodh në një moment tensioni të lartë në rajon. Rebelët Houthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë kryer në mënyrë të përsëritur sulme ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, në shenjë solidariteti me palestinezët në Gaza. Megjithatë, në vitin 2024, rebelët kishin mohuar se kishin në shënjestër kabllot nëndetare.

Sipas vlerësimeve të sektorit, rreth 1.4 milion kilometra kabllo me fibra optike përshkojnë oqeanet, duke siguruar qarkullimin e të dhënave për shërbime thelbësore si tregtia globale, transaksionet financiare, shëndetësia, edukimi dhe shërbimet publike.

Ndërkohë që ekipet teknike punojnë për të vlerësuar dëmet dhe për të rikthyer lidhjet, mbetet e paqartë nëse incidenti ishte aksidental apo i qëllimshëm. Autoritetet ndërkombëtare janë në pritje të një hetimi më të detajuar.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *