Muzeu i Holokaustit në Los Anxhelos heq postimin kundër gjenocidit, mes kritikave për luftën në Gaza!

Një muze i Holokaustit në Los Anxhelos është përballur me kritika pas vendimit për të fshirë një postim në Instagram, i cili sugjeronte se shprehja “kurrë më” duhet të vlejë për të gjithë njerëzit, jo vetëm për hebrenjtë.
Postimi, i shpërndarë për 24200 ndjekësit e llogarisë së muzeut, shkruante: “Kurrë më nuk mund të nënkuptojë vetëm kurrë më për hebrenjtë.” Kjo shprehje, tradicionalisht e lidhur me kujtesën e Holokaustit, është përdorur edhe më gjerësisht si një zotim për të parandaluar gjenocidet e ardhshme.
Mes reagimeve të shumta në internet, shumë e interpretuan publikimin si një njohje të vuajtjeve të palestinezëve gjatë luftës së Izraelit në Gaza, që është cilësuar nga ekspertë të Kombeve të Bashkuara, akademikë dhe organizata të të drejtave të njeriut si gjenocid.
Pas kritikave, muzeu e fshiu postimin dhe të shtunën publikoi një deklaratë të re, ku theksonte se mesazhi ishte interpretuar gabimisht si deklaratë politike lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, duke shtuar se ky nuk kishte qenë qëllimi i tij. Institucioni premtoi gjithashtu se do të sigurohet që postimet e ardhshme të jenë më të menduara dhe më të verifikuara.
Reagimet e ashpra nuk munguan. Yasmine Taeb, avokate e të drejtave të njeriut, e cilësoi vendimin e muzeut si tërësisht të neveritshëm, duke akuzuar institucionin se po struket nën presionin e zërave pro-izraelitë.
Muzeu i Holokaustit në Los Anxhelos, i cili është mbyllur përkohësisht për punime, deri në qershor të vitit 2026, po përballet tani me një debat të ashpër publik mbi kuptimin universal të thirrjes “kurrë më” dhe kufijtë mes kujtesës historike e aktualitetit politik.