Shkolla shqiptare në agimin e një viti të ri, heshtja në klasat bosh bërtet më fort se zhurma e nxënësve!

Si në vitet ’30, edhe sot, klasat kolektive, mungesa e kushteve dhe braktisja e shkollës janë plagët që e bëjnë mësuesinë profesion të heshtur, të harruar dhe të shpërfillur.
Dita e parë e shkollës është dita kur çdo komb rikujton se e ardhmja nis nga klasa, nga mësimi, nga fletoret e bardha. Shqipëria po nis një tjetër vit shkollor me bankat pothuajse të zbrazura, pa praninë e nxënësve dhe me ëndrrat që veniten pa u nisur. Dita e parë e shkollës duhet të jetë ditë shprese, por në realitet ajo është një përsëritje e së njëjtës fasadë. Mësuesit nuk frymëzojnë më, ata janë të lodhur nga padrejtësitë. Ndriçimi i nxënësve është zbehur në errësirën e neglizhencës.
Çfarë lloj shoqërie jemi, nëse na duhen fjalimet për të justifikuar dështimet dhe fotografitë për të mbuluar varfërinë?!
Në një shkrim të publikuar në revistën “Përpjekja Shqiptare”, në vitet ’30, ngrihej një shqetësim që tingëllon aktual edhe sot: përgatitja që i jepej kandidatit për mësues në Shkollën Normale ishte kaq ideale dhe larg realitetit, saqë ai dilte nga shkolla duke ëndërruar një jetë profesionale në kushte perfekte, me klasa të rregulluara, me mjete mësimore të bollshme, me nxënës të sjellshëm e prindër që e vlerësojnë dijen. Por kjo ishte veç një ëndërr. Realiteti në terren ishte krejt ndryshe; mësuesi ishte i vetëm përballë një shoqërie të varfër dhe të lodhur nga rrënojat e historisë. Në vend të kushteve perfekte të punës ai përballej me klasa kolektive, pa kushtet minimale të domosdoshme. Ai që shpresonte të bëhej udhërrëfyes i dritës, gjendej i vetëm në errësirë.
Në këtë fillim viti, pas afro 100 vitesh, sërish Shqipëria përballet me krizën e arsimit që është krizë besimi, krizë shpirti. Ne jemi vendi që shpall reforma njëra pas tjetrës, që flet për laboratorë inteligjentë e për modernizim kurrikulash, por që ka ende klasa kolektive dhe fshatra pa shkolla, flet për rritje cilësie duke ecur në modelet e Cambridge, por renditet i fundit në PISA. Në retorikën politike dhe në prezantimet ndërkombëtare, arsimi shqiptar përshkruhet si një sistem në transformim, i mbështetur në standarde evropiane, vizioni është po aq i përsosur sa ai që u jepnin dikur nxënësve të normales: një shkollë moderne, digjitale, që i përgjigjet standardeve evropiane, por në fakt, realiteti është zhgënjyes, dëshpërues, i pandryshuar. Mjafton të zbresësh në një fshat, të hysh në një shkollë periferike, ose të flasësh me një mësues të ri që është emëruar larg qytetit, për ta kuptuar të vërtetën.
Ashtu si dikur edhe sot, mësuesi ngarkohet me barrën e ringjalljes kombëtare, por mbetet pa armët për ta bërë këtë. Në auditorët e universiteteve, studentët e shkëlqyer zgjedhin gjithnjë e më pak degët e mësuesisë, sepse profesioni nuk ofron as statusin social, as kushtet materiale që të tërheqin talentet, sepse ai që dikur ishte profesioni fisnik, sot është kthyer në një angazhim pa garanci, pa vlerësim, me paga minimale dhe një barrë të pafundme burokracie dhe përgjegjësie. Në këto kushte vetëm idealistët ose ata pa shumë zgjedhje marrin përsipër të bëhen mësues.
Dhe sistemi, ironikisht, pret mrekulli prej tyre. Nelson Mandela pat thënë: “Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdorësh për të ndryshuar botën.” Nëse është kështu, pse atëherë shoqëria jonë po armatoset me injorancë?! Sepse sistemi i braktisur ka filluar të prodhojë braktisje. Mësuesi nuk është më figura që frymëzon, ai është bërë figura që mundohet të mbijetojë.
Ashtu si përpara një shekulli, ndryshon vetëm skenografia, ndërsa drama mbetet e njëjtë. Pra, nga një brez në tjetrin, i njejti problem; shkolla shqiptare ka ditur të krijojë diskurse të bukura, vizione largpamëse dhe programe moderne, por nuk ka arritur të ndërtojë bazën praktike që u jep atyre jetë. Pra, si afro një shekull më parë, edhe sot, ajo që propagandohet bie ndesh me realitetin.
Shkolla shqiptare është në krizë shpirtërore. Është kriza e një kombi që po rritet pa arsim cilësor, pa drejtim, pa vlera. Një komb që nuk investon në arsim, nuk ka të ardhme. Dhe është e kotë të flasim për zhvillim ekonomik, për integrim evropian, për drejtësi, për shpresë, nëse nuk kemi klasa plot nxënës dhe mësues të mirë.
A ka më shpresë për një shkollë shqiptare që të jetë burim drite për brezat e ardhshëm?
Kjo… varet nga ne.
Nëse nuk duam që çdo shtator të jetë më bosh, më i heshtur dhe më i pashpresë, duhet të zgjohemi. Duhet të nderojmë mësuesin me vepra, jo me fjalë. Të rikthejmë dijen në qendër. Të ndërtojmë jo thjesht godina, por ura mes brezave, mes dijes dhe jetës. Sepse një komb që braktis shkollën, ka nënshkruar fundin e vet. Dhe fundi nuk vjen vetëm me luftë, vjen edhe me heshtje, me një klasë bosh.
Kjo është tragjedia e heshtur e arsimit shqiptar.
Një sistem që prodhon iluzione dhe konsumon njerëz. Një shkollë që ngjan me një skenë teatrale ku dritat janë ndezur, skenografia është gati, por aktorët nuk besojnë më në tekstin që kanë në dorë. Dhe publiku, fëmijët tanë, po e braktis sallën. Kjo nuk është vetëm pasojë e “mungesës së motivimit” të nxënësit, siç thuhet shpesh, është pasojë e një sistemi të tërë që ka ndërtuar iluzion në vend të vizionit, ka investuar në fjalë në vend të infrastrukturës dhe ka harruar themelin: nxënësin, mësuesin.
Arsimi është më shumë se shkolla, libra apo laboratorë. Është fryma e një kombi që kërkon të ndërtojë të ardhmen mbi dijen. Shqipëria ka nevojë për një arsim që jo vetëm mëson, por edhe frymëzon; që jo vetëm përgatit për tregun e punës, por edhe formon qytetarë të lirë, të ndershëm dhe të përgjegjshëm.
Megjithatë, arsimi shqiptar mbetet një fushë ku shpresa ringjallet vazhdimisht. Çdo klasë e re, çdo libër i hapur, çdo fëmijë që shkëlqen nga kurioziteti është dëshmi se e ardhmja mund të jetë ndryshe. Nevojitet vullnet politik, përgjegjësi shoqërore dhe një përkushtim i palëkundur që arsimi të mos jetë thjesht slogan, por realitet./Përpjekjashqiptare.al
Nga Borea Lisi