
Qeveria konservatore greke po përgatitet të votojë, deri në fund të shtatorit 2025, një ligj që lejon punonjësit të punojnë deri në 13 orë në ditë për të njëjtin punëdhënës. Projektligji, tashmë në konsultim publik deri më 19 shtator, ka ngjallur zemërim në radhët e sindikatave dhe opozitës së majtë, që e konsiderojnë këtë një hap pas në të drejtat e punëtorëve.
Aktualisht, limiti ditor ligjor është 8 orë pune, me mundësi për deri në 2 orë shtesë, ndërsa puna 13-orëshe është e lejuar vetëm në rastin kur një person ka më shumë se një punëdhënës.
Sipas qeverisë së Kyriakos Mitsotakis, ndryshimi është i nevojshëm për t’u përshtatur me nevojat e tregut dhe për të stimuluar ekonominë në sektorët me ngarkesë të jashtëzakonshme pune. Kjo vjen vetëm një vit pasi Greqia miratoi javën 6-ditore të punës për disa sektorë.
Ndërkohë, në Athinë dhe qytete të tjera po zhvillohen protesta të shumta. Apostolis Stergiopoulos, një mësues që mori pjesë në protestë më 8 shtator, deklaroi: “Me inteligjencën artificiale dhe teknologjinë, duhet të punojmë më pak dhe të kemi më shumë kohë për familjen, por realiteti është ndryshe: shoh fëmijë të trishtuar që nuk e shohin prindin gjithë ditën sepse punojnë disa punë për të mbijetuar.”
Sindikata greke paralajmërojnë greva dhe përshkallëzim të veprimeve nëse projektligji miratohet, duke e konsideruar atë si një kërcënim serioz për të drejtat sociale dhe shëndetin mendor të punonjësve.