
Partia Republikane e Popullit (CHP), forca kryesore opozitare në Turqi, po përballet me një krizë të thellë që rrezikon vetë ekzistencën e saj politike. Pas vendimit të gjykatës për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet e brendshme në degën e Stambollit, partia është detyruar të thërrasë një kongres të jashtëzakonshëm më 21 shtator.
Kjo lëvizje synon të konfirmojë në detyrë drejtuesin aktual, Özgür Özel, i cili prej nëntorit 2023 drejton partinë. Në 15 shtator, CHP do të përballet sërish me drejtësinë, për të njëjtat akuza mbi parregullsi në procesin e votimit që solli në krye Özelin. Nëse gjykata vendos njësoj si për degën e Stambollit, opozita turke mund të përballet me një skenar ku lidershipi i saj shpallet i paligjshëm.
Vendimi për revokimin e ekipit drejtues të Stambollit dhe emërimin e një grupi të ri nga gjykata, nën kryesimin e një figure të vjetër disidente, Gürsel Tekin, ka shkaktuar tronditje në radhët e opozitës. Shumë analistë e shohin këtë si një provë gjenerale për dobësimin e CHP përpara zgjedhjeve të ardhshme.
Tensioni është i madh në selinë e partisë në Ankara, ndërsa qindra delegatë po përgatiten për kongresin e jashtëzakonshëm. Për momentin, mbijetesa politike e partisë më të vjetër të Turqisë duket të jetë në duar të drejtësisë.