
Një vendim i papritur i Parlamentit zviceran ka sjellë pezullimin përfundimtar të projekteve financiare për Shqipërinë, duke hapur debat të gjerë mbi mënyrën se si janë menaxhuar fondet e huaja në vend. Vendimi erdhi pas një serie auditimesh të kryera nga institucione të njohura ndërkombëtare, të cilat zbuluan parregullsi të shumta, mungesë transparence dhe abuzime të konsiderueshme me fondet e dhëna ndër vite.
Për dekada, Zvicra ka qenë një ndër donatorët më të rëndësishëm për Shqipërinë, duke investuar miliona euro në projekte infrastrukturore, ujësjellësa, qendra komunitare dhe nisma kulturore. Objektivi i tyre ishte i qartë: të ofronin shpresë dhe alternativa për të rinjtë shqiptarë, në mënyrë që të shmangej emigracioni dhe ndikimi i grupeve kriminale që që prej viteve ’90 kanë përdorur Zvicrën si bazë për trafikun e drogës.
Por rezultatet e kontrolleve financiare treguan një realitet tjetër. Shumica e projekteve nuk kishin llogaritari të rregullt, shumat e përfituara nuk justifikoheshin, dhe korrupsioni shfaqej i përhapur. Fondet e dhuruara nga taksapaguesit zviceranë nuk kishin mbërritur te përfituesit realë, por ishin zhdukur në xhepat e institucioneve publike, bashkive dhe organizatave të ndryshme.
Përballë këtyre fakteve, Parlamenti i Zvicrës vendosi të ndërpresë çdo bashkëpunim financiar me Shqipërinë. Ky vendim është cilësuar i pakthyeshëm, dhe një rifillim i mundshëm i projekteve do të kërkonte një votim të ri në parlamentin federal, gjë që duket pothuajse e pamundur.