
Një përpjekje e Rusisë për të dërguar dronë në Poloni ka nxjerrë në pah dobësitë e mbrojtjes ajrore të NATO-s dhe mund të shërbejë si provë për sulme të ardhshme, sipas ekspertëve.
Dronët hynë në hapësirën ajrore polake, duke detyruar avionët luftarakë të NATO-s të ngriheshin dhe të rrëzonin disa prej tyre; hera e parë që aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA ka ndërhyrë drejtpërdrejt kundër forcave ruse që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës. Incidenti shënon një kapitull të rrezikshëm në konfliktin që tashmë zgjat më shumë se tre vjet e gjysmë.
Ekspertët dhe zyrtarët e mbrojtjes theksojnë se kjo situatë ka zbuluar sa e pa-përgatitur është EVropa për një sulm masiv ajror, siç Rusia ka kryer në Ukrainë pothuajse çdo natë.
Ben Hodges, ish-komandant i ushtrisë së SHBA-së në Europë, tha:“Moska ka vënë re se ne ende nuk kemi mësuar nga ajo që Ukraina përjeton prej vitesh. Ne nuk jemi të përgatitur për këtë, dhe tani ata janë në pragun tonë.”
Hodges shtoi se Europa ka nevojë për një sistem mbrojtjeje ajrore të integruar dhe me shumë shtresa, që të mund të vlerësojë sulmet dhe të dërgojë resurset e duhura, ndryshe nga reagimi i së mërkurës, kur avionët e shtrenjtë si F-35 holandezë u përdorën për të rrëzuar dronë relativisht të lirë.
Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e quajti incidentin një sulm të qëllimshëm për të provokuar dhe testuar sistemet e NATO-s.
Kryeministri polak Donald Tusk raportoi se nga rreth 19 dronët që hynë në Poloni, vetëm katër përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe u rrëzuan. Shumica e dronëve ishin “Gerbera”, dronë iranianë të tipit Shahed që përdoren si mashtrime për të shpërqendruar mbrojtjen ajrore të Ukrainës para valëve të raketave dhe dronëve të armatosur.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përgëzoi reagimin e aleancës dhe premtoi mbrojtjen e çdo centimetri të territorit aleat. Ai shtoi:“Duhet të investojmë më shumë për të pasur mjetet e nevojshme për të frenuar dhe mbrojtur.”
Incidenti nënvizon rrezikun në rritje të provokimeve ruse dhe nevojën urgjente të përmirësimit të mbrojtjes ajrore të NATO-s.