Kosova

Aksion i gjerë i policisë në Veri të Kosovës: Sekuestrohen armë dhe municion, arrestohet një person

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të zgjeruar në rajonin e Mitrovicës së Veriut, i cili ka rezultuar me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh, municioni dhe pajisjesh ushtarake. Gjatë bastisjeve , është arrestuar një person 73-vjeçar, ndërsa një tjetër është identifikuar si i dyshuar.

73-vjeçari i identifikuar me inicialet S.G., është dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë, ndërsa ndaj tij është ka nisur hetimi për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve të zjarrit”.

Në lagjen Korile të Zveçanit, policia ka sekuestruar dhjetëra karikatorë, detonatorë elektrikë, fitilë ndezës, një armë e gjatë e çmontuar me municion, mbi 600 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe pajisje për mbushjen e municionit.

Në  rrugën “Prote Stojana” po në Zveçan, policia sekuestroi një pushkë gjahu, fishekë, gëzhoja dhe pajisje të tjera. Një person është nën hetim për rastin.

Policia e Kosovës njofton se aksione të tilla do të vijojnë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe të pajisen me leje të vlefshme për armët, pasi çdo mbajtje e tyre pa autorizim, përbën shkelje të rëndë ligjore.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *