Bota

Gjenerata Z në Revoltë: Një Brez Global përballë Sistemeve të Vjetra

Në fillim të shtatorit 2025, shpërthimi i revoltës së të rinjve në Nepal shërbeu si kujtesë e fuqishme e një tendence globale që është duke u zhvilluar prej më shumë se një dekade: gjenerata Z nuk është më spektatore, por një aktore e drejtpërdrejtë në skenën politike botërore. Vendimi i qeverisë nepaleze për të ndaluar 26 rrjete sociale ishte shkëndija që ndezi një pakënaqësi të mbledhur ndër vite, skemë e njohur tashmë, e përsëritur me variacione në Iran, Nigeri, Hong Kong, Sudan dhe Mianmar.

Në të gjitha rastet e përmendura, protesta fillon shpesh nga një ngjarje simbolike, një ndalim, një vrasje, një ligj i ri, por shpejt merr përmasat e një revolte sistemike, që sfidon korrupsionin, represionin, mungesën e mundësive, dhe në shumë raste, vetë themelet e pushtetit.

Kjo është një karakteristikë thelbësore e gjeneratës Z: ajo nuk pranon më status quo-në, sidomos në shoqëritë ku demokracia është e cunguar, institucionet janë të kapura dhe meritokracia është iluzion. Ndryshe nga brezat e mëparshëm, këta të rinj janë më të lidhur globalisht, më të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe më të gatshëm për të vepruar.

Në çdo rast, rrjetet sociale luajnë një rol qendror: nga organizimi i protestave, shpërndarja e informacionit, krijimi i solidaritetit, e deri te ndërtimi i një narrative alternative ndaj propagandës shtetërore. Telegram, TikTok, Twitter dhe meme politike që nuk janë më vetëm mjete komunikimi apo humori, por instrumente të rezistencës.

Në Nigeri, kriptomonedhat u përdorën për të mbledhur fonde jashtë kontrollit shtetëror; në Hong Kong, Telegram dhe aplikacione të decentralizuara ndihmuan në mobilizimin spontan. Në Iran dhe Mianmar, TikTok u shndërrua në platformë për sfidimin e autoritetit, edhe në kushte repressive.

Në të gjitha rastet, reagimi i pushtetit ndaj revoltës së të rinjve ka qenë i dhunshëm. Mbi 500 të vrarë në Iran, mijëra të burgosur në Mianmar, viktima të shumta në Sudan dhe Hong Kong. Edhe në Nepal, një vend me një demokraci funksionale, protestat rezultuan me viktima dhe tensione politike.

Revoltat e gjeneratës Z nuk janë fenomene të shpërndara gjeografikisht, por shprehje të një ndërgjegjeje globale të re. Ato i ngjajnë njëra-tjetrës jo vetëm në formë, por në përmbajtje: dëshira për liri, dinjitet, drejtësi dhe mundësi.

Brezi Z, i lindur mes teknologjisë dhe krizave të vazhdueshme, është ndoshta brezi më i politizuar që nga vitet ’60. Por ndryshe nga brezat e mëparshëm, ai nuk e ka luksin të presë. Me krizën klimatike, papunësinë, autoritarizmin dhe zhgënjimin global, kjo gjeneratë po vepron tani dhe po e bën këtë në mënyrën e vet.

Në fund, revolta në Nepal është vetëm një kapitull në një histori më të madhe, që ende po shkruhet.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *