
Në kryeqytetin polak është hapur një bibliotekë e veçantë brenda metropolit të Varshavës, me synimin që udhëtarët të kalojnë më shumë kohë me libra dhe më pak me ekranet e telefonave.
Iniciativa është përshëndetur gjerësisht si një mënyrë e zgjuar për të promovuar kulturën e leximit në jetën e përditshme urbane. Biblioteka ndodhet në një nga stacionet më të frekuentuara të metrosë dhe ofron qasje të lirë në libra të zgjedhur, që udhëtarët mund t’i marrin dhe t’i lexojnë gjatë rrugës së tyre.
Sipas autoriteteve lokale, ky projekt synon të nxisë qytetarët të zbulojnë ose të rikthejnë kënaqësinë e leximit, duke e parë atë si një alternativë të shëndetshme ndaj varësisë nga pajisjet digjitale. Librat e vendosur janë të larmishëm; nga klasikët polakë te letërsia bashkëkohore ndërkombëtare.
“Metroja është një hapësirë ku njerëzit kalojnë çdo ditë shumë minuta të vyera. Në vend të ekraneve, tani ata mund të kenë një mik të vërtetë; librin,” -tha drejtori i projektit gjatë inaugurimit.
Autoritetet shpresojnë që shembulli i Varshavës të frymëzojë edhe qytete të tjera evropiane për të kthyer hapësirat publike në qendra të kulturës dhe leximit.